Vaksinim i kombinuar ndaj gripit stinor dhe COVID-19 në Shqipëri.     Foto: ATA

Në Shqipëri do të aplikohet program i përbashkët kombëtar të vaksinimit anti-Covid në kombinim me vaksinimin kundër gripit në të gjitha qendrat shëndetësore në vend.

Këtë e ka bërë të ditur sot ministrja e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e cila gjatë konferencës për medie lidhur me arritjet e vitit 2022 dhe projektet e vitit 2023 theksoi se: “mbi 1.3 milion qytetarë janë vaksinuar deri tani me dozën e parë të vaksinës anti-Covid; mbi 1.2 milion kanë marrë dozën e dytë; mbi 350 mijë qytetarë janë vaksinuar me dozën e tretë dhe mbi 45 mijë qytetarë me dozën e katërt.

Sa i takon vaksinës së gripit sipas Manastirliut janë vaksinuar më shumë se 200 mijë qytetarë këtë vit.

Ndër të tjerash, Manastirliu u shpreh se Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale ka marrë masat për vaksinimin për grupet e rrezikuara kundër gripit sezonal, për kontrollin e infeksionve duke qenë se kjo është një situatë që tashmë shihen të gërshetuara dy infeksionet, edhe gripi edhe COVID-19.

“Janë të rëndësishme masat që kemi marrë për të mbrojtur ata që kanë imunitetet të komprometuar dhe personat +65 vjeç”, tha Manastirliu.

Duke folur për programin kombëtar të vaksinimit, ministrja e Shëndetësisë tha se u përfshi për herë të parë vaksina kundër HPV.

TRT Balkan / agjencitë