Në Shqipëri vazhdojnë protestat për të "denoncuar rastet e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës", si dhe me kërkesën për dorëheqjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Protesta e radhës është mbajtur në vazhdën e protestave të organizuara në muajit e fundit nga partitë opozitare, Partia Demokratike e Shqipërisë (PD) dhe Partia e Lirisë (PL), si dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe aktivistëve para selisë së Bashkisë së Tiranës.
Zv.kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe përfaqësuesi i PD-së, Dorjan Teliti, në fjalën e tij gjatë protestës u shpreh se veprimi me çdo mjet demokratik me mosbindje civile, "duhet jetë ajo që të udhëheqë protestën".
"Rezistenca jonë tashmë është bërë simbol në çdo bisedë familjare. Në çdo bisedë qytetare, në çdo takim dhe tryeza flitet për qëndresën qytetare të Tiranës, flitet për qëndresën e qytetarëve të Shqipërisë, për qëndresën tonë", tha Teliti.
Ish-deputeti i PD-së, Klevis Balliu, u shpreh se është koha t'i marrin përsipër vetë t'i zgjidhin problemet e tyre.
Për mbarëvajtjen e protestës u angazhuan dhjetëra forca policore, ku disa nga protestuesit hodhën sende të ndryshme ndaj selisë së bashkisë, ndërkohë nuk u shënuan përplasje.
Në Shqipëri në muajit e fundit janë organizuar protesta për të "denoncuar rastet e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës", ndërsa disa protesta janë shoqëruar edhe me tensione dhe përplasje me forcat e policisë.
Protestat organizohen pas arrestimit në fund të muajit mars të këtij viti të disa ish-zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës, të akuzuar për veprat penale "korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike" dhe "refuzimi për deklarimin, mosdeklarimin, fshehjen ose deklarimin e rremë të pasurive".