Në Shqipëri vazhdojnë protestat për t'i "denoncuar rastet e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës", që organizohen për muaj me radhë nga partitë opozitare dhe me mbështetjen e aktivistëve të shoqërisë civile.
Protesta u organizua nga Partia Demokratike e Shqipërisë (PD) dhe Partia e Lirisë (PL), si dhe aktivistë para selisë së Bashkisë së Tiranës, me kërkesën për dorëheqjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe sipas organizatorëve për hetimin e rasteve të korrupsionit.
Edhe protesta e sotme nisi me tensione për shkak të bllokimit të qarkullimit të automjeteve nga protestuesit në rrugën para selisë së Bashkisë së Tiranës.
Ish-deputeti i PD-së, Belind Këlliçi, në fjalën e tij gjatë protestës u shpreh se "do të vijojmë betejën më të vendosur se kurrë".
Zv/kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe përfaqësuesi i PD-së, Dorjan Teliti, në fjalën e tij u shpreh se rezistenca bëhet për Tiranën dhe Shqipërinë, sipas tij "për ta çliruar nga kthetrat e korrupsionit".
Ish-deputeti i PD-së, Klevis Balliu, duke iu drejtuar protestuesve u shpreh: "Të bashkohemi për të ndryshuar Shqipërinë".
Fjalime mbajtën edhe përfaqësues të tjerë të partive politike, disa aktivistë të shoqërisë civile dhe qytetarë.
- Protestat
Në Shqipëri janë organizuar për muaj me radhë protesta për të "denoncuar rastet e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës", ndërsa disa protesta janë shoqëruar edhe me tensione dhe përplasje me forcat e policisë.
Protestat kundër kryebashkiakut Veliaj nisën në fillim të prillit 2024 dhe rifilluan sërish.
Protestat organizohen pas arrestimit në fund të muajit mars të vitit të kaluar të disa ish-zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës, të akuzuar për veprat penale "korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike" dhe "refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive".