Vullnetarët nga Shqipëria: Gjetëm babë e bir të përqafuar nën rrënoja / Foto: AA

Pas tërmeteve shkatërrimtare në Türkiye, përveç ekipit të Ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë, edhe një grup vullnetarësh shqiptarë u angazhuan në operacionet e kërkim-shpëtimit në Türkiye.

Grupi i vullnetarëve i përbërë prej 10 personash është kthyer në Shqipëri më 15 shkurt me avion, pas qëndrimit në zonat e prekura nga tërmetet për rreth një javë, duke u angazhuar në operacionet e kërkim-shpëtimit në Malatya, ndërkohë për Anadolu ata rrëfejnë mes lotësh dhe emocionesh përjetimet dhe punën në terren.

Drejtuesi i grupit të vullnetarëve dhe njëkohësisht drejtuesi i Qendrës Vullnetare të Emergjencave Civile të Shqipërisë, Nebi Muçaj, tregon se moment prekës për ata si ekip ishte kur gjetën babë e bir pa jetë nën rrënoja të përqafuar me njëri-tjetrin.

Muçaj tha se skenat kanë qenë fatkeqësisht dramatike atje ku operuan forcat e tyre, duke nxjerrë veç viktima. Ai rrëfen se kur gjenim një njeri pa jetë, "ishte me të vërtetë një dhimbje sikur të ishte një familjar i jonë".

"Episodi që ishte më prekës jo vetëm për mua, por për të gjitha ekipet që ishin aty ka qenë gjetja e babë e bir të përqafuar përjetësisht nën rrënoja. Ishte shumë dhimbje e madhe për të gjithë. Fillimisht pamë dorën e fëmijës, pastaj duke gërmuar gradualisht u zbulua edhe trupi i babait të fëmijës, ashtu mbështjellë siç e 'pushton' një baba fëmijën e vet në atë dashurinë e përditshme, ashtu e pamë të përqafuar, të përjetshëm këtë përqafim", tha Muçaj.

Ai mes lotësh tha se familjarët ishin aty në rrethinat të objektit ku punohej me shpresën se po dilte një njeriu i tyre me jetë, por edhe njeriu i tyre pa jetë.

"Në një moment pashë një fotografi të një çifti të sapomartuar e cila më goditi në zemër kur e pashë dhe në ato momente mendova që jeta është e shenjtë, është e përkohshme. Por, të shikosh atë lumturi, atë buzëqeshje të asaj fotografie të përzier me atë rrënojë, me ato gurë, hekura, të bën të reflektosh që jeta është e çmuar. Më ka ngelur në memorie dhe më duket sikur atë fotografi e kam brenda në zemrën time", tha Muçaj.

Një tjetër vullnetar nga Shqipëria ishte edhe Shkëlzen Shatri, i caktuar si specialit i kërkim-shpëtimit dhe i ndihmës së parë, ndërsa për Anadolu ai tregon se filluan operacionin pa ndërprerje, duke gërmuar dhe lutur Zotit që të shpëtojnë jetë.

"Isha shumë i emocionuar që të mbërrija sa më shpejt ku ishim të caktuar që do të operonim, që të jepnim maksimumin, që të nxirrnim një jetë nga ato rrënoja. Aty gjetëm edhe pjesëtarë të forcave tona të ushtrisë", tha ai.

Një ngjarje shumë e dhimbshme dhe shumë prekëse, tregon ai, ishte momenti kur "ne pamë skemën kur një baba u nxor bashkë me të birin e tij, ku babai i kishte hedhur dorën sipër për ta mbrojtur. Ishte vërtet diçka që të prekte thellësisht".

Atje thoshim të heqim një gur, mbase shpëtojmë një jetë

Pjesë e ekipit të vullnetarëve nga Shqipëria ishte edhe Bujar Rrapo, i caktuar si specialist për kërkimin nën rrënoja, ku i përlotur ai tregon se qytetarët prisnin prej tyre se çfarë do t'u thoshin për operacionet e kërkim-shpëtimit dhe gjetjen e të afërmve të tyre.

"Ne këtu në Tiranë e kemi (shprehjen) mbill një pemë, dhuro një jetë, atje thoshim të heqim një gur, mbase shpëtojmë një jetë. Momenti kur kemi gjetur një person (pa jetë), i kemi gjetur këmbët, aty ishte momenti më i keq. E mblidhnim atë zhavorrin me dorë, nuk pyesnim se do të çaheshim, donim që të kishim një shpresë që të nxirrnim një të gjallë, por ishte e pamundur", tha ai.

Rrapo tha se "episodi më i dhimbshëm ishte që më ka mbetur në memorie për tërë jetën një familjar që ulëriste, thërriste dhe i binte telefonit të vëllait të tij".

"Telefoni punonte, por nuk dëgjonte zëra. Në atë moment jemi futur nën gërmadha, jemi futur poshtë, por zëra nuk kemi dëgjuar. Përsëri dolëm, ai na shikonte në sy dhe mua më ka mbetur në memorie ajo dhimbje e madhe e tij. Më vonë u gjend trupi pa jetë fatkeqësisht", tregon Rrapo.

Gjithashtu, një mision ndihme nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, në përbërje të të cilit janë në total 73 personel mjekësor, specialistë të kërkim-shpëtimit, si dhe disa mjete, u dërguan në Türkiye për të marrë pjesë në operacionet e kërkim-shpëtimit.

AA