Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, zhvilloi një takim me zv/ndihmëssekretarin e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, njëkohësisht edhe i Dërguari i Posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Dy zyrtarët vlerësuan partneritetin strategjik mes Shqipërisë dhe ShBA-së, teksa në fokus të bisedës ishte edhe forcimi i mëtejshëm i sigurisë dhe qëndrueshmërisë në rajon, në kontekstin e situatës së sigurisë në Evropë.
Ministrja Xhaçka shprehu mirënjohjen ndaj Gabriel Escobarit për mbështetjen e pakursyer ndaj Shqipërisë dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor.
“Mirënjohje për zv/Ndihmëssekretarin e Shtetit Escobar për përfshirjen e tij personale dhe të ShBA-së në promovimin e stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor. E sigurova atë për përkushtimin e Shqipërisë për thellimin e partneritetit strategjik me ShBA-në dhe për zgjerimin e bashkëpunimit rajonal”, shkroi Xhaçka në rrjetet sociale.