Presidenti i zgjedhur i ShBA-së, Donald Trump, njoftoi se biznesmeni amerikano-libanez Massad Boulos do të shërbejë si këshilltar i tij i lartë për çështjet arabe dhe të Lindjes së Mesme.
Trump përmes platformës së tij "Truth Social" tha se Massad, i cili është gjithashtu vjehrri i vajzës së tij Tiffany, "është një avokat i kompletuar dhe një lider shumë i respektuar në botën e biznesit, me përvojë të gjerë në skenën ndërkombëtare".
"Ai ka qenë përkrahës për një kohë të gjatë i vlerave republikane dhe konservatore, një aset në fushatën time dhe ka qenë i rëndësishëm në ndërtimin e koalicioneve të reja të jashtëzakonshme me Komunitetin Arabo-Amerikan", tha Trump, duke shtuar:
"Massad është një njeri që krijon marrëveshje dhe mbështetës i palëkundur i paqes në Lindjen e Mesme. Ai do të jetë avokat i fortë për ShBA-në dhe interesat e saj, dhe unë jam i lumtur që e kam atë në ekipin tonë!", ka shkruar ai.
Massad Boulos është një tjetër emër nga familjarët e Trumpit që do të punojnë në mandatin e tij të dytë.
Të shtunën, Trump njoftoi se emëroi Charles Kushnerin, një biznesmen i shquar nga New Jersey, për të shërbyer si ambasador në Francë.
Kushner është babai i Jared Kushnerit, dhëndër i Trumpit, i cili shërbeu si këshilltar i lartë gjatë presidencës së tij të parë.