Dialogu i hapur që zgjidh çështjet e hapura është i një rëndësie të madhe për stabilitetin rajonal, ruajtjen e paqes dhe rrugën drejt një të ardhmeje të begatë, jo vetëm për Serbinë dhe Kosovën, por për gjithë rajonin.
Ky është mesazhi që theksoi sot kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, i cili mbajti një konferencë për media në Ohër, si mikpritës i takimit të nivelit të lartë të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të udhëhequr nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, nën patronazhin e Bashkimit Evropian dhe me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA).
Kovaçevski informoi se me kërkesën e tij sot në mëngjes ka zhvilluar takime të ndara bilaterale me presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti.
Dëshiroj t'ua theksoj personalisht rëndësinë që ne, si shtet fqinj i Serbisë dhe i Kosovës, i kushtojmë këtij takimi dhe t'u urojmë suksese në dialog, sepse besoj fuqimisht se është e nevojshme dhe e vetmja rrugë për zgjidhjen e problemit”, tha Kovaçevski.
Sipas tij, dialogu është mjeti i vetëm për konsolidimin e rajonit dhe për integrimin evropian të të dyja vendeve.
Ai theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut nuk është zgjedhur rastësisht si vend pritës i këtij dialogu.
“Maqedonia e Veriut sot njihet si partner i respektuar i bashkësisë ndërkombëtare dhe faktor stabiliteti në rajon. Marrëveshjet që i kemi nënshkruar, Marrëveshja e Ohrit, e Prespës, si dhe Marrëveshja për Fqinjësi të Mirë, janë konfirmim i frymës sonë evropiane, të mbylljes së çështjeve me të cilat hapim rrugën për zhvillimin e ardhshëm të vendit”, nënvizoi Kovaçevski.
Po ashtu, ai shtoi se vendet në rajon kanë liderë të cilët sillen në mënyrë evropiane dhe vendet e tyre meritojnë perspektivë evropiane.
“Pikërisht për këtë është momenti i duhur për të përshpejtuar procesin e integrimit evropian, i cili është i rëndësishëm për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha Kovaçevski.
Maqedonia e Veriut, partner i rëndësishëm për Kosovën
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Twitter njoftoi se në Ohër është mirëpritur nga homologu i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.
“Maqedonia e Veriut është një partner dhe aleat i rëndësishëm për Kosovën dhe rajonin, me të cilin ne dëshirojmë të punojmë edhe më ngushtë në vlerat dhe prioritetet e përbashkëta”, shkruan Kurti në Twitter.
Kovaçevski, nikoqir i mirë
Pas takimit me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, presidenti serb Aleksandar Vuçiq, në Instagram, tha se e ka falënderuar Kovaçevskin, për faktin se si mikpritës i mirë dëshiron të kontribuojë në vazhdimin konstruktiv të dialogut.