Kosova dhe Serbia janë pajtuar mbi aneksin e zbatimit të Planit Evropian, i cili do të jetë i obliguar për të dyja palët në momentin e publikimit të tij, tha përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, në një deklaratë për media, pas takimit trepalësh mes tij, kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandar Vuçiq në qytetin e Ohrit. Ai, po ashtu shtoi se palët janë zotuar t’i zbatojnë të gjitha nenet dhe obligimet.
Ai u ndal te neni 7 i aneksit për planin e zbatimit, duke thënë se Kosova është pajtuar të fillojë menjëherë negocimin me dialogun e lehtësuar nga BE për të vendosur vetëmenaxhimin e komunitetit serb në Kosovë.
Sipas tij, palët janë pajtuar për çështjen e të pagjeturve si çështje me prioritet.
“Aneksi konsiderohet i miratuar në momentin e publikimit dhe jep detaje për zbatim se deri kur, nga kush duhet të veprohet dhe si”, tha ai.
Borrell shtoi se BE do të jetë mbikëqyrëse mjaft aktive e planit të zbatimit, zbatim ky me të cilin varet edhe rrugëtimi evropian i Kosovës dhe Serbisë.
I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka deklaruar se marrëveshja e arritur në mes Kosovës dhe Serbisë do të ketë ndikim në proceset e integrimit për të dyja vendet, por ndikon edhe në sigurinë dhe paqen në Ballkanin perëndimor dhe Evropë.
Kurti: Serbia de fakto njohu Kosovën
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se kanë arritur pajtim publik me Serbinë për zbatimin e aneksit të marrëveshjes së propozuar nga Bashkimi Evropian.
Mirëpo, ai ka thënë se Serbia sërsh nuk e ka nënshkruar atë. Sipas tij, i takon BE-së tani të gjejë mekanizma për të detyruar Serbinë të firmosë marrëveshjen.
"Sa për aneksin ai së shpejti do të publikohet dhe do të kuptoni se cka është dhe si është", tha ai, duke shtuar se, sa i përket Asociacionit, ai nuk është vetëqeverisje, por vetëmenaxhim.
Sipas tij, më 27 shkurt dhe me aneksin e zbatimit është bërë njohja defakto e shtetit të Kosovës nga Serbia.
Vuçiq: Asociaconi do të krijohet sipas asaj që është nënshkruar
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq pas takimit në Ohër ka thënë para mediave se janë pajtuar për disa çështje, por se asgjë nuk është nënshkruar, përkundër asaj që kryeministri Albin Kurti ka kërkuar nënshkrimin e propozimit evropian.
Sipas tij, Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe do të krijohet sipas asaj që është nënshkruar dhe duhet të jetë në planin e implementimit, megjithatë shtoi se nuk e di nëse do të jetë ashtu.
Ai shtoi se do të duhet të vazhdojnë të punojnë, vetëm se tani Bashkimi Evropian do të vlerësojnë performancën individuale të tyre.
"Prishtina nuk respekton Asociacionin, nuk ka përparim për Prishtinën, Serbia nuk është e gatshme të bëjë këtë dhe atë, nuk ka përparim për Serbinë. Kjo është e re dhe do të përfshihet në kornizën e negociatave këto ditë. As Kurti nuk është shumë i kënaqur, as unë nuk po hidhem në qiell, se e di që nuk e kam problem me diçka sot, por do ta kem nesër“, theksoi Vuçiq.
Ai tha se është i kënaqur me këtë takim dhe se për ata është e rëndësishme Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.