Ballkani Perëndimor, deklaratë të përbashkët për luftimin e korrupsionit       / Foto: AA

Shefat e diplomacisë të pesë vendeve të Evropës Juglindore, pjesëmarrëse në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), në margjinat e Këshillit të 30-të Ministerial të OSBE-së, kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët për luftimin e korrupsionit në këtë rajon, raporton Anadolu.

Deklarata u nënshkrua nga Bujar Osmani - kryesues i OSBE-së dhe ministër i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, së bashku me homologun e tij shqiptar - Igli Hasani, atë serb - Ivica Daçiq, atë boshnjak - Elmedin Konakoviq dhe atë malazez - Filip Ivanoviq.

Ministri Osmani njoftoi se miratimi i deklaratës së përbashkët është organizuar në bashkëpunim me departamentin e OSBE-së për kërcënime transnacionale dhe zyrën e koordinimit për aktivitete ekonomike dhe mjedisore të OSBE-së.

Osmani tha se, si kryesues i OSBE-së, luftën kundër korrupsionit ai e ka vendosur si “prioriteti numër një” për rajonin e Evropës Juglindore, krahas pajtimit dhe ndërtimit të besimit.

“Ajo është një sfidë e përbashkët me të cilën përballemi, një çështje në të cilën ne mund në të vërtetë të bashkohemi dhe ta adresojmë së bashku. Ky ishte qëllimi i ngjarjes dhe unë jam i kënaqur se mbi 70 ekspertë nga rajoni, krahas zyrtarëve shtetërorë dhe partnerëve ndërkombëtarë, u bindën të diskutojnë një rrugë përpara në këtë përpjekje për të çrrënjosur korrupsionin me një fokus të veçantë në rikuperimin e aseteve”, tha Osmani.

Ndërkaq, ministri Hasani tha se për luftimin e korrupsionit rajoni ka nevojë për vullnet politik, duke theksuar se “ka vullnet politik në këtë tavolinë”.

“Për Shqipërinë lufta kundër korrupsionit dhe promovimi i qeverisjes së mirë është prioritet në shtëpi, por gjithashtu edhe ndërkombëtarisht. Në fakt ishte prioritet për ne edhe gjatë kryesimit tonë (me OSBE-në) në vitin 2020”, tha Hasani.

Ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Filip Ivanoviq, theksoi nevojën për të ndërmarrë hapa konkretë për të forcuar bashkëpunimin rajonal në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke shtuar se nënshkrimi i deklaratës së përbashkët është fokusuar pikërisht në këtë.

Ai gjithashtu përsëriti angazhimin e qartë të Malit të Zi për t'u përballur me korrupsionin dhe krimin e organizuar.

“Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është parakusht thelbësor për përmirësimin e cilësisë së jetës së të gjithë qytetarëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Është gjithashtu një përcaktues kritik për vlerësimin e progresit të vendeve aspirante në rrugën e tyre drejt BE-së", tha Ivanoviq.

Ministri i Jashtëm i Bosnjë e Hercegovinës, Elmedin Konakoviq, tha se korrupsioni është ndër arsyet kryesore pse njerëzit po largohen nga vendet e rajonit, duke shtuar se korrupsioni është problem transnacional.

"Ngjarja e sotme le të shërbejë si një moment i rëndësishëm i angazhimit të rinovuar dhe vendosmërisë kolektive. Bosnja e Hercegovina nuk qëndron si vëzhgues pasiv, por si pjesëmarrës aktiv në luftën kundër korrupsionit", tha Konakoviq.

Kryediplomati serb, Ivica Daçiq, në fjalën e tij tha se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk mund të ekzistojë pa aksione gjithëpërfshirëse dhe të koordinuara, si dhe pa bashkëpunim ndërkombëtar.

"OSBE-ja duhet të ndihmojë në mënyrë që vendet të avancojnë kapacitetet e tyre. Kapacitetet për parandalim, luftim, hetim dhe përndjekje. Kuptohet që ne duhet të mirëmbajmë bashkëpunimin ndërkombëtar dhe shkëmbimin e informatave, ekspertizave dhe praktikave më të mira", tha Daçiq.

Më 31 tetor të këtij viti, kryesimi i Maqedonisë së Veriut me OSBE-në organizoi një konferencë rajonale mbi luftimin e korrupsionit, pastrimin e parave dhe për lehtësimin e përpjekjeve për rikuperimin e aseteve në Evropën Juglindore.

Gjatë kësaj konference, përfaqësuesit e vendeve pjesëmarrësve të këtij rajoni në OSBE miratuan një deklaratë të përbashkët për luftimin e korrupsionit përmes rikuperimit të aseteve dhe përdorimit të digjitalizimit, e cila sot në Shkup u finalizua nëpërmjet një ceremonie zyrtare të nënshkrimit.

AA