Sllovenia mbetet një ndër përkrahësit më të mëdhenj për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Kjo u konstatua edhe sot gjatë vizitës së kryeministrit Dimitar Kovaçevski në Lubjanë, ku takoi homologun e tij slloven Robert Golob.
Kryeministrat nënshkruan edhe një Deklaratë të përbashkët për zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Sllovenisë.
“Ne kemi rënë dakord dhe do të përpiqemi të forcojmë bashkëpunimin dypalësh nëpërmjet dialogut të rregullt politik, duke përfshirë mbajtjen e një seance të përbashkët qeveritare gjatë vitit 2023 për të gjitha fushat e rëndësishme për qytetarët. Së bashku konfirmuam nevojën për të forcuar stabilitetin e rajonit, veçanërisht në kontekstin aktual gjeopolitik, kur paqja dhe siguria evropiane duhet të ruhen”, tha kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.
Dhe kjo është arsyeja pse ne ramë dakord, me një koordinim më të ngushtë të politikave të jashtme dhe dialog të rregullt politik, të kontribuojmë në kohezionin midis vendeve anëtare të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në atë drejtim kemi paraparë konsultime për çështje aktuale nga rajoni dhe politikën e jashtme të dy vendeve”, tha kryeministri Kovaçevski.
Kryeministri slloven, Golob, në konferencën për shtyp vlerësoi se Sllovenia dhe Maqedonia e Veriut kanë marrëdhënie të shkëlqyera dhe se vendi i tij është një nga investitorët më të mëdhenj në Maqedoninë e Veriut.
Kryeministri slloven tha se procesi i negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Verut, i cili filloi vitin e kaluar, nuk duhet të ndalet dhe theksoi mbështetjen për rrjedhën e mëtutjeshme të integrimeve evropiane.
“Afrimi me BE-në nuk duhet të ndalet dhe ky është mesazhi kryesor. Ne besojmë se rruga euro-atlantike e Maqedonisë së Veriut është një nga garancitë më të rëndësishme për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Edhe pse ka mjaft elementë që nuk janë të interesuar për këtë”, tha kryeministri Golob.