Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës Myftiu Naim Tërnava sot ka pritur në Prishtinë kreun e Bashkësisë Islame të Malit të Zi efendi Rifat Fejziq, i cili shoqërohej nga deputeti Omer Kajošaj. Myftiu Ternava përshëndeti mysafirët dhe i njohu me aktivitetet dhe sfidat me të cilat përballet Bashkësia Islame e Kosovës. “Formati dhe mundësitë e bashkëpunimit ndërinstitucional ishin ndër temat kryesore të diskutuara në takim. Myftiu Tërnava shprehu gatishmërinë për vazhdimin dhe intensifikimin e bashkëpunimit të mirë ndërmjet dy institucioneve, duke pasur parasysh se në Mal të Zi ka një numër të konsiderueshëm të shqiptarëve të besimit islam”, thuhet në njoftimin e Bashkësisë Islame të Kosovës.
Reis Fejziq ka uruar Myftiun Tërnava për rizgjedhjen në krye të Bashkësisë Islame të Kosovës, duke shprehur respektin dhe mirënjohjen për bashkëpunimin që kanë pasur deri më tani.
Në fund të takimit, dy krerët fetarë shfrytëzuan rastin për të uruar njëri-tjetrin për ardhjen e muajit të bekuar të Ramazanit, duke e lutur Zotin e Madhëruar që agjërimi dhe lutjet të pranohen.