Moti pranveror vë në rrezik sezonin turistik dimëror në BeH.     Foto: AA

Qendrat e skijimit në Bosnjë e Hercegovinë, sipas parashikimeve të paralajmëruara, vitin e ri do ta presin nën kushte verore, e kjo ka një ndikim negativ në sezonin dimëror të skijimit.

Drejtuesit e qendrave të skijimit në Bjelasnicë, Vllashiq dhe Jahorinë thonë se ambientet akomoduese për natën e ndërrimit të viteve janë plot, por turistët anulojnë rezervimet pas datës 3 janar.

Shefi i marketingut në Ndërmarrjen Publike Kantonale ZOI '84, Alin Smajkan, tha për Agjencinë Shtetërore të Lajmeve të BeH, FENA, se sezoni i dimrit nuk guxon të dështojë dhe se në gjysmën e dytë të janarit presin kushte më të favorshme atmosferike për borë dhe skijim.

“Topat nuk mund të përdoren, sepse temperaturat janë në plus dhe pritet që pas Vitit të Ri të jetë deri në 10 gradë në male, karakteristikë për pranverën. Por, ne shpresojmë për një ndryshim”, tha ai.

Smajkan shton se ambientet akomoduese, të cilat janë zgjeruar dukshëm këtë vit, janë të mbushura, por një numër i madh i turistëve po e anulojnë vizitën në Bjelasnicë.

Zëdhënësja e Bordit Turistik të Kantonit Qendror të Bosnjës, Aldijana Dizdar, tha se gjithçka është gati për sezonin e dimrit, por se kushtet e pazakonta të motit për këtë periudhë të vitit sigurisht që do të kenë një efekt të pafavorshëm për të gjithë punonjësit e turizmit, sepse suksesi i sezonit turistik dimëror sigurisht që varet mbi të gjitha nga sasitë e mjaftueshme të borës natyrore.

Mirëpo, Dizdar theksoi në mungesë të borës janë munduar që në një farë mënyre të përmirësojnë gjendjen aktuale, me një sërë përmbajtjesh të ndryshme në mal.

- Me hapjen e sezonit turistik dimëror u mbushën të gjitha ambientet akomoduese. Një atmosferë e mrekullueshme festive mbretëron në çdo hap në Vllashiq dhe festa e Vitit të Ri do të jetë kurora e përmbajtjes së këtij dimri. Këtë vit, në organizim të Bordit Turistik me mbështetjen e Qeverisë së SBK-së dhe komunës së Travnikut, si dhe hotelierëve nga zona e Vllashiqit, do të organizohet mirëseardhja publike dhe festimi i Vitit të Ri”, tha Dizdar.

Ajo shtoi se të gjitha ambientet e akomodimit në hotele janë mbushur dhe rezervuar në fillim të dhjetorit, dhe pavarësisht mungesës së reshjeve të borës, Vllashiq është një destinacion shumë atraktiv dimëror.

FENA