Kryeministri hungarez Viktor Orban, i cili qëndron në vizitë zyrtare në Sarajevë, tha se Hungaria është në favor të anëtarësimit të shpejtë të Ballkanit, përfshirë edhe Bosnjë e Hercegovinës, në Bashkimin Evropian.
"Kemi pasur biseda të jashtëzakonshme. Qëndrimi i Hungarisë ndaj jush përcaktohet nga tri fakte. Njëri prej tyre është se ne jemi fqinjë, në kuptimin gjeografik mungojnë ato pak dhjetëra kilometra, por në kuptimin politik dhe ekonomik ne jemi fqinj", tha Orban pas takimit me kryetaren e Këshillit të Ministrave të BeH-së, Borjana Krishto.
Sipas tij, BeH-ja gjithmonë mund të llogarisë në Hungarinë si një vend fqinj me politikë të përgjegjshme.
"Gjëja e dytë është se ne vëzhgojmë me admirim të madh se si ju mbani sistemin më të komplikuar politik në botë. Nganjëherë është e vështirë për ne hungarezët të mbajmë një koalicion të vogël, jo një sistem kaq të komplikuar si i juaji. Ne admirojmë se si ia dilni ta mbani vendin funksional. Pika e tretë është se ne ndajmë të njëjtin fat. Kemi vuajtur komunizmin e një lloji tjetër, por megjithatë ishte komunizëm. Ju nuk jeni të huaj për ne, jeni pjesë e familjes", theksoi Orban.
Ai tha se është biseduar edhe për proceset që po zhvillohen brenda Bashkimit Evropian dhe efektet e luftës në Ukrainë ndaj transformimeve ekonomike, teknologjike dhe të sigurisë.
"Evropa nuk do të jetë në gjendje të zbatojë transformimet nëse mbështetet vetëm në forcat që ka tani. Janë të nevojshme dinamika të reja, pjesëmarrës të rinj. Prandaj, për ne hungarezët, Ballkani nuk është problem, por rezerva e fundit e burimeve evropiane", theksoi Orban.
Kryeministri hungarez tha se BE-ja ka nevojë për Ballkanin dhe BeH-në shumë më tepër sesa Ballkani ka nevojë për BE-në.
Kryeministri hungarez u shpreh se vendi i tij zhvillon një politikë të jashtme sovrane, duke theksuar se nuk mbështesim një politikë që mbështetet në sanksione.
Kryetarja e Këshillit të Ministrave të BeH-së, Borjana Krishto, u shpreh se të dyja vendet kanë raporte miqësore, pa çështje të hapura.
Krishto theksoi se vendi i saj dëshiron të ketë bashkëpunim të mirë me Hungarinë në rrugën evropiane.
Orban sot do të takohet edhe me anëtarët e Presidencës së BeH-së, ndërsa është planifikuar të vizitojë edhe Banja Llukën.