Dita që e festojnë sot 1,9 miliardë njerëz nëpër gjithë botën quhet festa (ose, sipas prejardhjes turke: bajrami) e Fitrit. Kjo festë është ‘kurora shpirtërore’ e çdo myslimani, të cilën e mban me krenari duke pasur në mendje faktin se besimtarët sapo kanë kryer një nga adhurimet kryesore të fesë islame – agjërimin e muajit ramazan.
Etimologjia dhe emërtimet
Fjala “el-fitr” nënkupton fillim i ri ose natyrshmëri. Besimtarët, pra, duke filluar nga kjo ditë, i kthehen përditshmërisë së tyre, kjo për faktin se tanimë kanë pasur mundësinë të dëlirësohen përgjatë muajit ramazan.
Festa e Fitrit në nënqiellin shqiptar quhet edhe Bajrami i Madh dhe Bajrami i Ramazanit. Arsyeja e këtij emërtimit të dytë bazohet në faktin se kjo festë ndodh menjëherë pas ramazanit.
Koha dhe kohëzgjatja
Bajrami i Fitrit ndodh më datat 1, 2 dhe 3 të muajit sheval. Muaji sheval është muaji i dhjetë sipas kalendarit hënor. Ashtu siç shkon rreth 10 ditë te mbrapa ramazani, po ashtu bartet edhe bajrami i Fitrit, bajrami tjetër, haxhi etj. Rrjedhimisht, të gjitha këto të përmendurat përshkojnë të gjitha muajt dhe të gjitha stinët e vitit në rrotacion të plotës prej rreth 30 vitesh.