Kaligrafi Hasan Çelebi, i cili konsiderohej si "mjeshtri i Kaligrafëve" dhe kishte firmën e tij në shumë xhami në mbarë botën, ka ndërruar jetë në Istanbul në moshën 88-vjeçare.
Çelebi prej disa kohësh po trajtohej në spitalin "Koşuyolu Istanbul Medipol" për shkak të sëmundjes.
Vdekja e kaligrafit Çelebi i cili së fundmi shkroi kaligrafinë e Xhamisë së Madhe Çamlica dhe Xhamisë Sri Sendayan në Malajzi, është bërë e ditur nga ish-ministri i Shëndetësisë, Fahrettin Koca në llogarinë e tij në rrjetet sociale.
"Mjeshtri ynë Hasan Çelebi ka ndërruar jetë. Secila prej veprave të tij ishte një dhuratë krejt e re që ai ka bërë për qytetërimin tonë. Arti i kaligrafisë, i cili ka mbijetuar për breza pa ndryshuar kurrë karakteristikat e tij origjinale, ka forcuar vazhdimësinë e tij me të. Ai ishte marrësi i çmimit të nderit 'Necip Fazıl' dhe Çmimit të Madh të Presidencës për Kulturë dhe Arte. Për mua ishte fat që kam mundur të kujdesem me trajtimin e tij në periudhën e afërt kur ai kishte probleme shëndetësore. Allahu e mëshiroftë dhe uroj që vendin e tij ta bëjë parajsë. Në sytë dhe zemrat tona qoftë i përjetshëm", shkroi Koca në postimin e tij.
Ministria e Kulturës dhe е Turizmit gjithashtu shkroi në llogarinë e saj X në rrjetet sociale:
"Ne jemi thellësisht të pikëlluar për humbjen e Hasan Çelebiut, i cili la gjurmë me kaligrafinë që gdhendi në xhamitë në të gjithë botën dhe i cili konsiderohet 'Mjeshtri i Kaligrafëve'. Me gjurmët që ka lënë në shumë vepra nga Sultanahmeti (Xhamia Blu) e deri te Xhamia e Madhe dhe Xhamia Sri Sendayan, Çelebi ka transmetuar nga brezi në brez artin e tij dhe me nxënësit që ai ka përgatitur. I urojmë mëshirën e Zotit ndërsa familjes së tij dhe komunitetit të artit i shprehim ngushëllimet tona për artistin tonë të çmuar, të cilin e shpallëm Thesar të Gjallë Njerëzor në vitin 2010, i cili u vlerësua i denjë me Çmimin Presidencial për Kulturë dhe Art në vitin 2011 dhe së fundmi me Çmimin e Nderit 'Necip Fazıl'".
Kreu i Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), Serkan Kayalar tha: "Kryekalligrafi Hasan Çelebi ndërroi jetë. Ai ia kushtoi jetën të shkruarit bukur të Kuranit.
Bukuritë e qytetërimit dhe anët tona shpirtërore përmbaheshin në elegancën dhe personalitetin e tij.
Shehadeti 'Xheli Thulus' i është besuar tashmë xhamisë Sisak në Kroaci. Zoti e bekoftë me parajsë".
I lindur në vitin 1937 në fshatin Inci në qytezën Oltu të Erzurumit, Hasan Çelebi, mjeshtri i madh i kaligrafisë, mori mësime nga mjeshtrit më të famshëm të periudhës për t'u përmirësuar në artin e kaligrafisë të cilën e filloi në moshën 24-vjeçare.
Pasi ka studiuar dhe marrë autorizimin për shkrimin Thuluth-Naskh nga kaligrafi Hamid Aytaç dhe shkrimin Ta'lik-rik nga Kemal Batanay, mjeshtëria e Hasan Çelebiut ka shkuar përtej kufijve të vendit me mbishkrimet e tij në xhami, koleksionet private dhe ekspozita të kaligrafisë.
Hasan Çelebi i cili ka afro 100 studentë të certifikuar në vende të ndryshme të botës, u bë kaligrafi që ka përgatitur më shumë nxënës pas Hamid Aytaçit.