Në Istanbul filloi Festivali i 6-të i Etnosportit dhe Kulturës.
Festivali i organizuar për të gjashtën herë këtë vit në aeroportin "Ataturk" të Istanbulit nga Konfederata Botërore e Etnosportit (WEC), do të zgjasë 4 ditë.
Në ceremoninë e hapjes së organizatës morën pjesë ministri i Rinisë dhe Sporteve, Osman Aşkın Bak, presidenti i WEC, Bilal Erdoğan, zëvendëskryetari i AK Partisë, Efkan Ala, përfaqësues dhe anëtarë protokolli nga vende të ndryshme.
Anëtarët e protokollit e nisën organizimin duke prerë shiritin në programin përpara çadrës Han.
Në fjalën e tij, Bilal Erdoğan tha: "Në 4 ditët e ardhshme do të jemi dëshmitarë të kulturave të botës, pasurisë kulturore të Anadollit dhe zemrës sonë në Istanbul, qendra më e aksesueshme dhe më e rëndësishme e botës. Këtu do të shfaqen jo vetëm sportet tona tradicionale, por edhe sportet tradicionale të vendeve mikpritëse, ushqimet tradicionale, vallet popullore, muzika, artizanat dhe lojërat e fëmijëve".
Ai tha në festival do të ketë seksion të posaçëm për Palestinën e cila është nën sulmin izraelit. "Ne do të shohim punën e bërë nga konfederata jonë për tërmetet në Kahramanmaraş, fatkeqësinë e shekullit që përjetuam vitin e kaluar. Do të punojmë për të prezantuar kulturën palestineze dhe për gjenocidin që po vazhdon në Palestinë dhe Gaza dhe për thirrjen për gjithë botën që fëmijët atje kanë të drejtë të luajnë. Ne i presim të gjithë qytetarët tanë", tha Erdoğan duke shtuar:
"Jemi të lumtur kur shohim fëmijët tanë duke shijuar kohën e tyre këtu, duke parë dhe duke i përjetuar gjërat me kënaqësi. Dëshiroj të falënderoj të gjithë aktorët tanë, sponsorët dhe të gjithë mysafirët tanë që iu përgjigjën ftesës sonë dhe që kontribuan në këtë festival të madh që organizuam si konfederatë për të kontribuar në pasurinë kulturore të botës. Qoftë me fat".
Festivali do të presë aktivitete tërheqëse për vizitorët e të gjitha moshave.
Vizitorët do të kenë mundësinë të përjetojnë pa pagesë shumë sporte dhe lojëra tradicionale, si gjuajtje me hark dhe kalërim, të shoqëruar nga profesionistë.
Vizitorët do të jenë në gjendje të punojnë në seminare për artet tradicionale në zonën e festivalit dhe gjithashtu do të jenë në gjendje të mësojnë rreth sporteve tradicionale, lojërave, natyrës dhe komunikimit të kafshëve.
Festivali i 6-të i Etnosportit dhe Kulturës do të presë gjithashtu aktivitete të veçanta për fëmijët dhe grupet e pafavorizuara.
Fëmijët do të mund të kalojnë një kohë të këndshme me sportet dhe lojërat tradicionale në zonën e festivalit.
Aktivitetet e veçanta, garat dhe ngjarjet skenike për grupet e pafavorizuara do t'i japin ngjyrë këtij festivali.
Organizata, ku mund të ndiqet shfaqja me kuajt e Karabakut, do të përfshijë qytete nga Türkiye, jetën e fiseve në çadra, punëtoritë e artizanatit dhe shumë shfaqje dhe aktivitete.
Në kuadër të festivalit do të mbahet një konkurs fotografish.
Konfederata Botërore e Etnosportit, e cila synon të ringjallë sportet dhe lojërat tradicionale, do të organizojë konkurs fotografie në kuadër të festivalit në bashkëpunim me Federatën Turke të Artit Fotografik.
Të gjitha aktivitetet që zhvillohen në zonën e festivalit do të jenë objekt i një konkursi fotografie.