Këngëtarja me famë botërore Dua Lipa është organizatore e Sunny Hill Festival.     Foto: Facebook/Sunny Hill Festival 

Nga sot, e deri më 7 gusht në Parkun e Gërmisë në Prishtinë, do të zhvillohet festivali i muzikës Sunny Hill. Në këtë festival pritet të performojnë artistë të famshëm në botë dhe yje vendor.

Bazuar në mënyrën e organizimit të Sunny Hill Festival, Komuna e Prishtinës ka thënë se është e nevojshme të ndalohet qarkullimi i mjeteve, për shkak të sigurisë publike dhe mbarëvajtjes së këtij aktiviteti.

Sipas autoriteteve komunale niveli i lartë i sigurisë është i nevojshëm për shkak të organizimit që llogaritet të ketë numër të madh të pjesëmarrësve të ndryshëm, për këtë arsye Drejtoria e Shërbimeve Publike, Mbrojtjes dhe Shpëtimit, ka nxjerrë vendimin për ndalimin e qarkullimit të mjeteve motorike, qytetarëve në rrugën “Dr. Shpëtim Robaj” në Parkun Gërmia nga hyrja te laura deri te rruga për Butovc.

“Qarkullimi lejohet vetëm për mjetet të cilat janë: në shërbim dhe të akredituara nga festivali, mjetet emergjentë (Policia, Zjarrfikësit dhe Ndihma e Shpejtë). Organizatorët në bashkëpunim dhe koordinim me Policinë e Kosovës do të kujdesen për lëvizjen e qytetarëve dhe mjeteve në pjesën ku është ndaluar qarkullimi”, thonë nga Komuna e Prishtinës.

Sunny Hill Festival, është event i themeluar nga këngëtarja me prejardhje nga Kosova, Dua Lipa. Përpos saj, në katër ditët e ardhëshme në Prishtinë, sipas paralajmërimeve do të performojnë artistë të ndryshëm vendor dhe ndërkombëtar.

Ndryshë, për herë të parë sivjet Sunny Hill Festival do të mbahet edhe në Tiranë, duke filluar nga 26 deri më 28 gusht.

Edicioni i parë i këtij festivali u organizua në vitin 2018.

TRT Balkan / agjencitë