Xhubleta e Shqipërisë nën mbrojtje nga UNESCO.        Foto: ATA

Pas isopolifonisë, xhubleta është trashëgimia e radhës e jomateriale e Shqipërisë që merret në mbrojtje nga UNESCO. Dijebërja e veshjes së xhubletës që daton 4 mijë vjet para, tashmë është pasuri e gjithë njerëzimit.
Lajmin e bëri të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cila mori pjesë në mbledhjen e Komitetit Ndërqeveritar për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s, që u zhvillua në Marok.
Margariti e cilëson një lajm të jashtëzakonshëm për trashëgiminë tonë kulturore dhe si dhuratë në 110-vjetorin e Pavarësisë.
“Nga kryeqendra e Marokut, Komunitetit Ndërqeveritar për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s, miratoi në formë unanime shpalljen e xhubletës shqiptare dhe bërjen e saj , si pjesë të listës së Trashëgimisë Kulturore Jomateriale nën mbrojtjen e UNESCO-s”, tha Margariti.
Ministrja vuri në dukje se, “ky aset për vendin mund të humbiste. Por ne nuk e lejuam që xhubleta të mbetej thjeshtë një relike e të shkuarës dhe me përfshirjen në këtë listë ajo do të ketë jo vetëm mbështetjen e institucioneve tona por edhe atyre ndërkombëtare, që do ta trajtojnë xhubletën si pasuri të gjithë njerëzimit”.
Ministrja tha se, kemi ardhur në këtë moment pas një pune të gjatë, plot përkushtim të një grupi të madh bashkëpunëtorësh, dosja e dijebërjes artizanale të xhubletës u pranua në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale nën mbrojtjen e UNESCO-s.
Xhubleta, veshje tipike e zonave të veriut, cilësohet si një prej kostumeve më të rralla popullore, me disa lloje e karakteristika, prerjeje e qepjeje, sipas zonave dhe moshave të grave që e vishnin.
Në sesionin e 32-të të saj, Konferenca e përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për arsimin shkencën dhe kulturën, UNESCO vendosi që të bëjë publike konventën e saj më të re: “Për ruajtjen e trashëgimisë kulturore jomateriale”.
Qëllimi madhor i kësaj Konvente është ruajtja e trashëgimisë kulturore jomateriale; respektimi i trashëgimisë kulturore jomateriale të bashkësive, të grupeve dhe të individëve të prekur; sensibilizimi në nivel lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar për rëndësinë e trashëgimisë kulturore jomateriale dhe të vlerësimit të saj të ndërsjellë; bashkëpunimi dhe asistenca ndërkombëtare.
Kjo Konventë, një ndër më të rëndësishmet e UNESCO-s për 10 vitet e fundit përfshin në vetvete dhe i referohet instrumenteve ndërkombëtarë ekzistues lidhur me të drejtat e njeriut, paktit ndërkombëtar për të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore të 1966-ës apo dhe paktit ndërkombëtar për të drejtat civile dhe politike të 1966-ës.
Konventa duke marrë parasysh rëndësinë e trashëgimisë kulturore jomateriale, përmbledhëse e diversitetit kulturor dhe garanci e zhvillimit afatgjatë, duke marrë parasysh ndërvarësinë midis trashëgimisë kulturore jomateriale dhe trashëgimisë materiale kulturore dhe natyrore; pranon se proceset e ndryshimit shoqëror, krahas kushteve që krijojnë për një dialog të përtërirë mes bashkësive, shkaktojnë gjithashtu, kërcënime të rënda për degradim, për zhdukje dhe shkatërrim të trashëgimisë kulturore jomateriale, veçanërisht për faktin e mungesës së mjeteve për ruajtjen e kësaj të fundit.
Konventa gjithashtu, vlerëson vullnetin e përbotshëm dhe shqetësimin e përbashkët për të ruajtur trashëgiminë kulturore jomateriale të njerëzimit; duke pranuar se bashkësitë, në veçanti bashkësitë rrënjëse, grupet dhe, sipas rastit, individët, luajnë një rol të rëndësishëm në prodhimin, ruajtjen, mirëmbajtjen dhe rikrijimin e trashëgimisë kulturore jomateriale, ç’ka ndihmon kështu për pasurimin e diversitetit kulturor dhe të krijimtarisë njerëzore.

TRT Balkan / agjencitë