Oksfordi: Evropa duhet të përgatitet për dimër më të ftohtë, tregu i gazit i pambrojtur /       Foto: AA

Kontinenti evropian mund të përballet me një dimër më të ftohtë pas dy vitesh, ndërsa tregu i gazit mbetet i pambrojtur.

Një dimër i butë në 2024/2025 mund të rrisë kërkesën për gaz me të paktën tetë deri në 10 miliardë metra kub dhe një dimër i ftohtë me të paktën 20-25 miliardë metra kub krahasuar me vitin e kaluar, sipas Institutit të Oksfordit për Studime të Energjisë (OIES).

Rishikimi i fundit tremujor i OIES tregon se moti i ftohtë i disa ditëve në shtator na kujtoi se sa e rëndësishme mund të ketë ndikimi i temperaturës në kërkesën për gaz në të gjithë sektorët, veçanërisht në ato rezidenciale dhe komerciale.

“Në kohën e shkrimit, ishte ende shumë herët për të marrë një parashikim solid të motit për këtë dimër, por indikacionet e hershme tregojnë se Evropa Perëndimore dhe Qendrore ka shumë të ngjarë të goditet me temperatura më të ftohta se vitin e kaluar për shkak të fenomenit La Nina, megjithëse temperaturat do të mund të ishin akoma më të ngrohta se mesatarja afatgjatë”, thotë OIES-ja.

Pavarësisht bazave të dobëta evropiane, çmimet u rritën në tremujorin e tretë të 2024 për shkak të kufizimeve të ofertës dhe rritjes së konkurrencës. Prodhimi evropian u ul lehtë, e përveç kësaj pati ndërprerje të tubacioneve të gazit nga Norvegjia, për shkak të të cilave çmimet e gazit u ngritën.

Një nga shtytësit kryesorë të rritjes aktuale të çmimeve është shtrëngimi i tregut global të LNG. Importet e LNG-së nga Azia u rritën gjatë verës, me kërkesë veçanërisht të fortë nga Kina, India dhe Japonia. Pavarësisht kërkesës së dobët evropiane për gaz, çmimet janë rritur për shkak të ofertës së kufizuar.

"Tregu mbetet i pambrojtur teksa jemi në dimër, me mundësinë e një sezoni më të ftohtë që do të përkeqësojë situatën e gazit në Evropë", thekson OIES-ja.

Raporti paralajmëroi se La Nina mund të sjellë kushte më të ftohta, të cilat do të rrisnin kërkesën për ngrohje, veçanërisht pas dy dimrave të butë që kanë ulur presionin në nivelet e ruajtjes.

Nëse temperaturat bien ndjeshëm, kjo mund të shkaktojë rritje të mëtejshme të çmimeve ndërsa Evropa përpiqet të mbushë magazinën.

Varësia e madhe e Evropës nga importet e LNG-së do të thotë se ajo do të vazhdojë të paguajë çmime më të larta për furnizimin, veçanërisht pasi konkurron me kërkesën në rritje në Azi. Nëse dimri rezulton të jetë më i ftohtë sesa pritej, Evropa mund të detyrohet të importojë shtesë LNG, duke i rritur edhe më shumë çmimet.

Nevojat e Evropës për gaz arritën në 550 miliardë metra kub në vitin 2019. Në vitin 2020, Evropa konsumoi 534 miliardë metra kub gaz dhe një vit më vonë, 553 miliardë metra kub gaz. Dy vjet më parë, pra në vitin 2022, janë shpenzuar 496 miliardë metër kub gaz dhe në vitin 2023 465 miliardë metër kub.

TRT Balkan / agjencitë