Çmimi i kriptomonedhës Bitcoin u rrit për herë të parë mbi 81 mijë dollarë për shkak të pikëpamjes së moderuar të presidentit të rizgjedhur të ShBA-së, Donald Trump, për asetet digjitale dhe pritjes së një Kongresi me përfaqësues pro-kripto. Sipas të dhënave nga kompania e analizës Coinmarketcap, vlera e tregut global të kriptomonedhave, përfshirë Bitcoinin, u rrit me 3,21 për qind në 24 orë dhe tejkaloi 2,71 trilionë dollarë.
Çmimi i Bitcoinit, kriptomonedha më e madhe, është rritur me më shumë se 3 për qind në 24 orët e fundit.
Gjatë fushatës së tij zgjedhore, Trump premtoi ta bënte ShBA-në "qendrën e kriptove të botës" duke përqafuar asetet digjitale. Trump gjithashtu ka një "plan kombëtar të rezervës së bitcoinit".
Çmimi i Bitcoinit kaloi sot për herë të parë 81 mijë dollarë në tregjet aziatike, duke u ngjitur në 81.858 dollarë. Fitimi javor i vlerës së Bitcoinit, i cili u tregtua me 81.263 dollarë në 08.31, tejkaloi 17 për qind.
Bitcoin, i cili ishte në nivelin më të ulët të vitit në 38.505 dollarë më 23 janar, ka fituar rreth 66 për qind që nga ajo datë. Bitcoin përfundoi vitin e kaluar me 42.283 dollarë.
Rritja e vlerës së Bitcoinit ndikoi pozitivisht edhe në kriptovalutat e tjera.
Ethereum, i cili renditet i dyti për sa i përket vlerës së tregut, fitoi më shumë se 27 për qind në vlerë në 7 ditët e fundit dhe kaloi 3.200 dollarë për herë të parë në 3 muaj. Dogecoin, një kriptomonedhë alternative, arriti nivelin më të lartë në tre vjet.
Analistët deklaruan se republikanët do të kontrollojnë të dy dhomat në ShBA dhe se kjo u mirëprit nga investitorët për botën e kriptove. Nga ana tjetër, industria e kriptomonedhave shpenzoi më shumë se 119 milionë dollarë për të mbështetur kandidatët pro-kriptove në kongres.