Iniciativa ‘Belt and Road’ është një nga projektet kryesore të jashtme ekonomike të Kinës i nisur nga presidenti kinez Xi Jinping në shtator 2013.     Foto: TRT World

Financimi për Iniciativën e Kinës “Belt and Road” (Rrip dhe Rrugë), një projekt ambicioz infrastrukturor që synon të lidhë zinxhirët e logjistikës tregtare të më shumë se 60 vendeve në Azinë Qendrore, Evropë dhe Afrikë, është kërcënuar me ndërprerje për shkak të borxheve miliarda dollarësh të huamarrësve nga Pekini, sipas një raporti mediesh në ShBA.
“Kina ka shpenzuar një trilion dollarë për të zgjeruar ndikimin e saj në Azi, Afrikë dhe Amerikën Latine nëpërmjet Iniciativës së saj ‘Belt and Road’ .... Por tani dhjetëra miliarda dollarë kredi janë tharë dhe shumë projekte zhvillimi kanë ngecur", thotë raporti.
Ngadalësimi i rritjes ekonomike globale, i shoqëruar me rritjen e normave të interesit nga bankat qendrore të vendeve kryesore, e ka shtyrë Pekinin të rishikojë nismën. Një arsye tjetër e rëndësishme ishin edhe veçoritë e politikës së kreditimit të përcaktuara nga autoritetet kineze.
Një nga pengesat kryesore për Kinën është puna me disa vende në zhvillim që nuk janë në gjendje të paguajnë borxhin e tyre.
Presidenti kinez Xi Jinping pranoi në një takim në nëntor me zyrtarë të lartë të vitit të kaluar se projekti ‘Belt and Road’ kishte hyrë në një fazë ku duhet të lundrojë në një rrjet çështjesh “gjithnjë e më komplekse”.
Ndërsa Xi sinjalizoi një rishikim, bankat kineze reduktuan shpejt kreditimin e parave për vendet me të ardhura të ulëta, edhe nëse kjo nënkupton ngecjen e disa prej projekteve kryesore. Kjo u jep bankave kineze një hapësirë për t’u përqendruar në mbledhjen e borxhit dhe pastrimin e të dhënave të tyre të kredive.
Iniciativa ‘Belt and Road’ është një nga projektet kryesore të jashtme ekonomike të Kinës i nisur nga presidenti kinez Xi Jinping në shtator 2013. Ajo synon të krijojë rrugë të reja tregtare, transporti dhe korridore ekonomike që lidhin Kinën me Azinë Qendrore, Evropën dhe Afrikën.
Ndërsa Perëndimi ka akuzuar prej kohësh Kinën për kryerjen e ‘diplomacisë së kurthit të borxhit’, që do të thotë joshja e vendeve ekonomikisht të brishta për të marrë hua – kryesisht për projekte tepër ambicioze – të cilat nuk mund t’i shlyejnë kurrë, Pekini hedh poshtë akuza të tilla duke i quajtur “gënjeshtra” dhe në vend të kësaj e përshkruan politikën e saj si një “bashkëpunim” me 149 vende dhe 32 organizata ndërkombëtare.
Janë rreth 3.000 projekte që Kina po i mbikëqyr në kuadër të Iniciativës së saj ‘Belt and Road’.
Parashikim i zymtë
Në korrik, TRT Rus shkroi se financimi dhe investimet e Kinës në Rusi për projektin në gjysmën e parë të 2022 kishin rënë në zero. Financial Times raportoi, duke cituar një raport nga Green Finance & Development Center në Universitetin Fudan në Shangai, se kjo ishte hera e parë që nga fillimi i programit kinez në 2013 që investimet u shkurtuan. Në vitin 2021, Moska dhe Pekini nënshkruan marrëveshje me vlerë rreth 2 miliardë dollarë.
Drejtori i Qendrës, Christophe Nedopil Wang, konsideroi se përmbajtja e Kinës nga investimi në Rusi mund të lidhet me kërcënimin e sanksioneve nga vendet perëndimore, ndaj Pekini thelloi bashkëpunimin me Lindjen e Mesme. Këtë e demonstrojnë të dhënat e qendrës, të cilat tregojnë se Arabia Saudite është bërë përfituesi kryesor i Iniciativës ‘Belt and Road’. Kina po forcon lidhjet në energji dhe ndërtim me Arabinë Saudite dhe ka nënshkruar marrëveshje me vlerë prej 5.5 miliardë dollarësh.
Megjithatë, Wang tha se rënia e investimeve mund të jetë e përkohshme dhe se ka “pa dyshim një ndërveprim të fortë” midis Rusisë dhe Kinës. Pavarësisht ngjarjeve në Ukrainë, blerjet e Pekinit të burimeve energjetike të Rusisë janë rritur, shtoi ai.
Sipas planeve të Kinës, nisma do të çojë në krijimin e korridorit më të gjatë ekonomik në botë që do të arrijë 4.4 miliardë njerëz. Disa ekspertë vlerësuan projektin me 21 trilion dollarë.
Më 15 shtator, agjencia Bloomberg tha se shkalla e rritjes ekonomike të Kinës do të ulet në vlera afër një minimumi absolut për më shumë se 40 vjet deri në fund të vitit 2022. Niveli i prodhimit në vendin aziatik deri në fund të dhjetorit do të rritet vetëm me 3.5 për qind në vend të 5.5 për qind të planifikuar.
Megjithatë, sipas Jian Chang, kryeekonomisti i Barclays për Kinën, rritja ekonomike në vend këtë vit mund të jetë vetëm 2.6 për qind. Banka Aziatike për Zhvillim (ADB) lëshoi një parashikim të ri në shtator mbi dinamikën e PBB-së në Kinë dhe vendet e tjera aziatike në zhvillim në 2022-2023.
ADB beson se në vend të rritjes së pritshme prej 5 për qind të PBB-së në Kinë në 2022 dhe 4.8 për qind në 2023, rritja do të jetë përkatësisht 3.3 për qind dhe 4.5 për qind. Për pjesën tjetër të Azisë në zhvillim, banka gjithashtu uli parashikimin e saj të rritjes së PBB-së për 2022-2023 nga 5.2 për qind në 4.3 për qind dhe nga 5.3 për qind në 4.9 për qind.

TRT World