Ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, do të shërbejë si ministër i financave i Norvegjisë, njoftoi qeveria të martën.
Stoltenberg, mandati i të cilit si shef i NATO-s përfundoi në tetor 2024 pas një dekade në krye të aleancës, tha se ai është "thellësisht i nderuar" për të marrë këtë rol.
“Duke shqyrtuar me kujdes sfidat aktuale me të cilat përballemi, kam vendosur të pranoj kërkesën e kryeministrit (Jonas Gahr) Støre për të shërbyer si Ministër i tij i Financave”, tha ai në një deklaratë zyrtare të qeverisë.
Emërimi i papritur vjen si pjesë e një riorganizimi të kabinetit në qeverinë e Norvegjisë.
Javën e kaluar, koalicioni qeverisës i vendit u rrëzua pasi Partia euroskeptike e Qendrës u nda nga koalicioni qeverisës mbi një mosmarrëveshje rreth direktivave të BE-së për energjinë.
Kjo shënon herën e parë në 25 vjet që Partia Laburiste e qendrës së majtë po qeveris e vetme.
Zgjedhjet parlamentare në Norvegji janë caktuar për 8 shtator.
Zhvendosje nga Konferenca e Sigurisë në Mynih
Stoltenberg ishte vendosur më parë të bëhej kryetar i Konferencës së Sigurisë së Mynihut (MSC), një forum për debatimin e sigurisë ndërkombëtare, i cili fillon javën e ardhshme.
Në një deklaratë, MSC-ja tha se Stoltenberut iu kërkua të shërbente si ministër i financave i Norvegjisë dhe do të kthehet në rolin e tij si kryetar i MSC-së kur të largohet nga shërbimi publik.
Tetorin e kaluar, MSC-ja shpalli Stoltenbergun si kryetarin e saj të ardhshëm.
Nga 14-16 shkurt, konferenca do të presë rreth 60 krerë shtetesh dhe qeverish dhe rreth 150 ministra nga e gjithë bota.
Dy nënkryetarët aktualë të MSC-së, Benedikt Franke dhe Rainer Rudolph, do të udhëheqin organizatën në periudhën e përkohshme derisa Stoltenbergu të kthehet.