Drejtor i ri ekzekutiv i Agjencisë Evropiane të Kufirit dhe Rojës Bregdetare – Frontex, është holandezi Hans Leijtens
Leijtens është aktualisht Komandant i Xhandarmerisë Mbretërore të Holandës dhe Guvernator i Hagës. Ai ka punuar në disa pozicione drejtuese në nivelin më të lartë drejtues në Ministrinë holandeze të Brendshme dhe Marrëdhëniet e Mbretërinë. Ndër të tjerash, ai ishte Drejtor i Përgjithshëm në Administratën Tatimore dhe Doganore të Holandës, Intendent i Dhomës së Integritetit në Sint Maarten, Drejtor i Përgjithshëm i Programit për rindërtimin e Ishujve Windward dhe anëtar i Bordit Ndërkombëtar të Audituesve ( NATO).
Në përputhje me nenin 107 të Rregullores EBCG, Bordi Menaxhues i Frontex-it votoi në një votim të fshehtë për tre kandidatët e përzgjedhur nga Komisioni Evropian, duke marrë parasysh opinionin e Parlamentit Evropian, të lëshuar pas dëgjimit të kandidatëve nga Komisioni i Parlamentit, mbi Liritë Civile, Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme (LIBE).
Pretendet për postin drejtues të Frontex-it, ishin edhe sekretarja e shtetit në Ministrinë e Brendshme të Kroacisë, Terezija Gras, Aija Kalnaja nga Letonia, e cila mbante postin e drejtorit të përkohshëm ekzekutiv të Frontex.
Seanca dërgjimore e kandidatëve në Parlamentin Evropian u zhvillua më 30 nëntor.
Posti i kreut të Frontex-it mbeti i zbrazët pasi francezi Fabrice Leggeri u detyrua të jepte dorëheqjen pas një raporti shumë kritik të OLAF-it mbi incidentet që përfshijnë dhunën ndaj emigrantëve në kufijtë e jashtëm.
Leggeri u akuzua për mosmbrojtje të të drejtave të njeriut të emigrantëve që kërkojnë azil në Bashkimin Evropian, si dhe për mbylljen e syve ndaj shumë veprimeve të paligjshme që ndodhin në terren.
Sipas rregullores për Frontex-in, kur posti i drejtorit ekzekutiv mbetet vakant, Komisioni është i obliguar të propozojë së paku tre kandidatë, gjë që ka bërë në gjysmën e parë të këtij muaji, pas mbylljes së tenderit.
Pas kësaj, të tre kandidatët duhet t'i nënshtrohen një seance dëgjimore para Komitetit të Lirive Civile të Parlamentit Evropian, i cili më pas miraton një opinion në të cilin mund të deklarojë se cilin kandidat preferon.
Më pas Bordi Drejtues i Frontex-it zgjedh drejtorin ekzekutiv, duke marrë parasysh mendimin e PE-së.
Nëse vendoset të caktohet një kandidat i ndryshëm nga ai i propozuar nga Parlamenti, Bordi Drejtues është i detyruar të shkruajë një shpjegim dhe të njoftojë Parlamentin dhe Këshillin për vendimin e tij.
Përgjegjësitë e drejtorit ekzekutiv
Drejtori Ekzekutiv është përgjegjës për menaxhimin e përditshëm të Frontex-it dhe është përfaqësuesi ligjor i Agjencisë.
Ai emërohet për një mandat fillestar prej pesë vjetësh, me mundësi vazhdimi për një periudhë maksimale prej pesë vitesh të tjera. Vendi i punës së drejtorit ekzekutiv është në Varshavë, ku ndodhet selia e Frontex-it.
Agjencia Frontex u themelua në vitin 2004 për t’u ndihmuar vendeve të BE-së dhe vendeve të lidhura me zonën Shengen në mbrojtjen e kufijve të jashtëm të zonës së lëvizjes së lirë brenda BE-së.
Si agjenci e BE-së, Frontex-i financohet nga buxheti i BE-së si dhe nga kontributet e vendeve të lidhura me zonën Shengen.
Agjencia u zgjerua në vitin 2016 për t'u bërë Agjencia Evropiane e Rojës Kufitare dhe Bregdetare, duke zgjeruar rolin e saj nga kontrollet e migracionit në menaxhimin e kufijve dhe duke marrë përsipër më shumë përgjegjësi për krimin ndërkufitar.
Frontex tani është një nga organet më të rëndësishme të Bashkimit Evropian në fushën e lirisë, sigurisë dhe drejtësisë. Operacionet e kërkim-shpëtimit janë bërë edhe zyrtarisht pjesë e përgjegjësisë së Agjencisë sa herë që ndodhin situata të tilla në kuadrin e mbikëqyrjes së kufirit detar.