Partia qeverisëse e kryeministrit Kyriakos Micotakis, Demokracia e Re, fitoi një fitore të thellë në zgjedhjet parlamentare të Greqisë të dielën, por nuk arriti të sigurojë mandate të mjaftueshme për të formuar qeverinë.
Rezultatet e pjesshme nga gati 90% e qendrave të votimit treguan se Demokracia e Re është e para me 40,80% të votave, e ndjekur nga Syriza e ish-kryeministrit Aleksis Cipras me 20,06%.
Në zgjedhjet e 2019, Demokracia e Re përfundoi me 39,85% dhe Syriza doli e dyta me 31,53%.
Rezultatet e publikuara nga Ministria e Brendshme treguan Partinë Socialdemokrate PASOK-KINAL me 11,65%, Partinë Komuniste Greke (KKE) me 7,16%, dhe partinë e ekstremit të djathtë, Zgjidhja Greke me 4,47%.
Me 2,56%, partia MeRA25 e ish-Ministrit të Financave Yannis Varoufakis nuk arriti të kalonte pragun e 3% për të rihyrë në parlament.
Partia ultra-konservatore Fitorja, e cila thuhet se mbështetet nga Kisha e Greqisë, kishte 2,93% të votave në zgjedhjet e saj të para.
Në mënyrë të ngjashme, partia e majtë “Lundrim për Liri” e ish-kryetares së parlamentit Zoe Constantopoulou, e cila u shkëput nga Syriza në 2015, performoi më mirë se sa pritej duke marrë 2,85% të votave.
Pjesëmarrja në votime ishte pak mbi 60%, sipas shifrave zyrtare.
Rezultatet shënuan një dështim të madh për sondazhet e opinionit në Greqi. Për shembull, sondazhi më i fundit tregoi se Demokracia e Re do të merrte rreth 36%, Syriza ishte në rrugën e duhur për 30%, ndërsa MeRA25 ishte parashikuar të siguronte 4% të votave.