Australia ka nisur kontrollin e parë parandalues të ADN-së në botë për të zbuluar kancerin.     Foto: AA

Australia ka nisur kontrollin e parë parandalues të ADN-së në botë për të zbuluar kancerin dhe sëmundjet e zemrës, njoftoi të dielën Universiteti Monash i Australisë.
Projekti i nisur nga Shkolla Monash e Shëndetit Publik dhe Mjekësisë Parandaluese, për të cilin ata pretendojnë se është studimi i parë i shqyrtimit të rrezikut të ADN-së, do të përfshijë të paktën 10 mijë njerëz të moshës 18 deri në 40 vjeç.
“Të rinjtë australianë tani mund të kenë një test falas të ADN-së së pështymës për të zbuluar nëse janë në rrezik të shtuar të disa kancereve dhe sëmundjeve të zemrës, të cilat mund të parandalohen ose trajtohen herët nëse zbulohen”, thuhet në deklaratën e Universitetit.
Ky është studimi i parë parandalues në botë i krijuar posaçërisht për të vlerësuar rrezikun e kancerit dhe sëmundjeve të zemrës në një popullatë përmes një sistemi shëndetësor kombëtar.
“Testi është falas dhe përfshin vendosjen e një kampioni të pështymës në një epruvetë të vogël të marrë me postë dhe të kthyer në një zarf të paguar me postë”, thuhet në deklaratë, duke shtuar se të interesuarit mund të regjistrohen në faqen e internetit të universitetit.
"Ne shpresojmë të identifikojmë ata që janë në rrezik ndërsa janë të rinj dhe të shëndetshëm, dhe jo më vonë, dhe t'i inkurajojmë ata të marrin vendime më të informuara për shëndetin e tyre," tha profesori i asociuar Paul Lacaz.
Ai shtoi se zbulimi i hershëm dhe parandalimi i kancerit dhe sëmundjeve të zemrës mund të shpëtojë jetën e disa njerëzve.
Ai vuri në dukje se dhënia e testeve gjenetike bazuar vetëm në historinë familjare nuk mjafton sepse deri në 90 për qind e atyre me rrezik të lartë në popullatën e përgjithshme nuk identifikohen nga testimi i historisë familjare.
“Shumica e njerëzve nuk mësojnë për rrezikun e tyre gjenetik derisa të jetë tepër vonë, si për shembull pasi të jenë diagnostikuar me kancer terminal ose një atak në zemër. Ne duam ta ndryshojmë këtë”, tha Lakaz.
Universiteti tha se atyre që do të zbulohet se janë në rrezik të lartë gjatë testimit do t'u ofrohet këshillim dhe masa parandaluese, siç janë skanimet dhe kontrollet e rregullta.

AA