Shkencëtarët vlerësojnë se midis viteve 1990 dhe 2019 ka pasur një rritje prej 79 për qind të rasteve të reja të kancerit te njerëzit nën moshën 50 vjeç.
Një ekip nga Universiteti i Edinburgut dhe Shkolla e Mjekësisë e Universitetit Zhejiang në Kinë analizuan të dhënat nga Studimi Global i Barrës së Sëmundjeve 2019 për 29 lloje kanceri në 204 vende dhe rajone.
Ata analizuan rastet e reja, vdekjet, rezultatet shëndetësore dhe faktorët e rrezikut te njerëzit e moshës 14 deri në 49 vjeç, duke vlerësuar normën vjetore për çdo vit.
Rezultatet treguan se kishte 3,26 milionë diagnoza të reja të kancerit te njerëzit nën moshën 50 vjeç në vitin 2019, një rritje prej 79,1 për qind që nga viti 1990. Dhe vdekshmëria është rritur me 27,7 për qind.
Megjithëse gjenetika ndoshta luan një rol, shkencëtarët paralajmërojnë se “faktorët kryesorë të rrezikut për kancerin” janë pirja e duhanit, konsumimi i alkoolit dhe një dietë e pasur me mish dhe kripë, por me pak fruta dhe qumësht, së bashku me mbipeshën, aktivitetin e ulët fizik dhe sheqerin e lartë në gjak.
Kanceri i gjirit zë pjesën më të madhe të rasteve – 13,7 për 100.000 njerëz, ndërsa rastet e kancerit trakeal dhe ai i prostatës rriten më së shumti, me 2,28 dhe 2,23 për qind në vit.
Megjithatë, rastet e kancerit të mëlçisë në moshën nën 50 vjeç ranë me 2,88 për qind çdo vit.
Rajonet me shkallën më të lartë të kancerit te moshat nën 50 vjeç janë Amerika e Veriut, Australia dhe Evropa Perëndimore.
Autori i studimit dr. Quy Li, nga Qendra për Shëndetin Global në Institutin Usher të Universitetit të Edinburgut, tha se kanceri në moshën nën 50 vjeç në Mbretërinë e Bashkuar kishte një “prirje rritëse” në periudhën 1990 deri në 2010, por se “shkalla e përgjithshme e incidencës mbeti e qëndrueshme” në periudhën e viteve 2010 deri në 2019.
“Fatmirësisht, shkalla vjetore e vdekjeve nga kanceri në këtë grupmoshë në Britani ka rënë në mënyrë të vazhdueshme, gjë që është dëshmi e përpjekjeve të jashtëzakonshme në shqyrtimin dhe trajtimin e kancerit gjatë tri dekadave të fundit”, shtoi ajo.
Publikimi i studimit në revistën BMJ Oncology erdhi pasi organizata bamirëse Cancer Research UK tha se përparimet në trajtimin e kancerit kishin ndihmuar në shpëtimin e 1,2 milion jetëve në Mbretërinë e Bashkuar që nga mesi i viteve 1980.