Sëmundjet e qarkullimit të gjakut, ose ndryshe sëmundjet kardiovaskulare, ishin shkaktari kryesor i vdekjeve në Bashkimin Evropian në vitin 2020, përkundër pandemisë së Covid-19. Ky grup sëmundjesh ishte shkaktar për rreth 1/3 e të gjitha vdekjeve në Evropë gjatë këtij viti, thotë një raport i fundit nga Eurostat.
Sëmundjet e sistemit të qarkullimit të gjakut ishin shkaku kryesor i vdekjeve në të gjitha vendet e BE-së, me përjashtim të Danimarkës, Irlandës, Francës dhe Holandës, ku kanceri ishte shkaku kryesor.
Kanceri ishte shkaktari i dytë i vdekjeve. Në total, 1,7 milionë njerëz vdiqën nga sëmundjet e qarkullimit të gjakut dhe pothuajse 1,2 milionë vdiqën nga kanceri.
Sëmundjet e sistemit të qarkullimit të gjakut dhe kanceret së bashku përfaqësonin 55% të shkaqeve të vdekjeve në BE, duke filluar nga 42% të të gjitha vdekjeve në Belgjikë deri në 76% të vdekjeve në Bullgari.
Ndër vendet anëtare të BE-së, përqindja më e lartë e vdekjeve për shkak të sëmundjeve të sistemit të qarkullimit të gjakut është vërejtur në Bullgari (61%) dhe më e ulëta në Francë (20%), ndërsa përqindja më e lartë e vdekjeve nga kanceri është vërejtur në Irlandë (29%) dhe përqindja më e ulët në Bullgari (15%).
Në vitin kur shpërtheu pandemia, COVID-19 ishte shkaku i tretë kryesor i vdekjeve në BE, me një total prej gati 439.000 vdekjesh. Përqindjet më të larta të vdekjeve për shkak të COVID-19 u regjistruan në Belgjikë (18%) dhe Spanjë (15%), ndërsa më të ulëtat ishin në Finlandë dhe Estoni (të dyja nga 1%).