Seria e transplanteve të zemrës dhe veshkëve në vitin 2020 gjatë pandemisë solli në qendër të vëmendjes temën e dhurimit të organeve në Maqedoninë e Veriut. Jetët e shpëtuara njerëzore dhe historitë pozitive e vendosën në plan të parë dimensionin njerëzor. Familjet e personave të ndjerë, pavarësisht humbjes së të afërmve të tyre, vendosin të transplantojnë një pjesë të organeve të tij në trupin e një pacienti tjetër. Kjo ka hasur në reagime pozitive në opinion.
Transplanti gjatë pandemisë
Procedura e transplantit të organeve në Maqedoninë e Veriut është e rregulluar me programin e transplantit të miratuar në fillim të vitit 2021 dhe me Ligjin për marrjen e pjesëve të trupit të njeriut për transplantim. Mes tjerash me këtë program, përcaktohet edhe lista e pacientëve që presin transplantin e organeve.
Çdo vit, rreth 20 pacientë presin për një transplant zemre dhe afro njëqind tjerë për veshka. Dispozitat ligjore parashohin që pjesë të trupit të njeriut mund të merren për transplantim pasi të konstatohet se ka ndodhur vdekja e trurit.
"Vdekja e një personi nga i cili mund të merren pjesë të trupit për transplantim përcaktohet nga një komision i përbërë nga të paktën tre mjekë të themeluar nga ministri i Shëndetësisë," thotë për TRT Ballkan, Maja Mojsova-Mijovska, koordinatore kombëtare e transplantit, në sqarimin e saj për dispozitat ligjore. Po ashtu, ajo shton se komisioni me saktësi e vërteton ndërprerjen e funksionit të trurit.
“Mjeku i cili ka marrë pjesë në trajtimin e atij personi para se të ndodhë vdekja e trurit apo në konstatimin e vdekjes nuk mund të marrë dhe transplantojë organe nga personi i vdekur”, thotë Mojsova-Mijovska.
Për të kryer një transplant, kërkohet pëlqimi me shkrim i të afërmve të të ndjerit. Ose që gjatë jetës së tij dhuruesi të ketë bërë një deklaratë në noter.
“Pjesa më e vështirë është kur familjes duhet t'i thuhet se vdekja e trurit është përcaktuar dhe se pacienti i vdekur ka organe të shëndetshme që mund të nënkuptojnë jetë për dikë. Ekziston edhe një fazë përgatitore e familjes që është e rëndësishme në të gjithë procesin. Transplantet e fundit të suksesshme të zemrës na e lehtësojnë punën në kuptimin që familjet janë të njohura se çfarë është procedura”, thekson Mojsova-Mijovska.
3.87 donatorë për milion banorë në Maqedoninë e Veriut
Në bazë të të dhënave Agjencisë Botërore për Transplantim dhe Dhurim të Organeve, në Maqedoninë e Veriut në vitin 2021 janë regjistruar tetë donatorë të vdekur ose 3,87 për milion banorë, si dhe 12 donatorë të gjallë, apo 5.81 për million banorë.
Në raportet e IRODAT-it (The International Registry in Organ Donation and Transplantation), regjistër me të dhëna për 102 shtete nga viti 1966 e deri më sot, thuhet se vitin e kaluar mjekët në Maqedoninë e Veriut kanë kryer 16 transplante veshkash dhe shtatë transplante zemre.
Transplanti nga një pacient i vdekur u prezantua në vitin 2014, pas ndryshimeve ligjore në vitin 2013. Disa njerëz që kanë nevojë për transplantim presin edhe me dekada.
Kroaci, çdo person i ndjerë donator potencial
Në hulumtime të ndryshme mjekësia kroate paraqitet si më e avancuara ndër vendet e Ballkanit dhe ish-Jugosllavisë. Shifrat për Kroacinë tregojnë se në vitin 2020 janë regjistruar 124 donatorë, ose 29.5 për milion banorë, nga të cilët 119 donatorë të vdekur. Nga 119 transplante, 104 janë të mëlçisë, gjashtë të pankreasit dhe nëntë të mushkërive.
Pesë transplantime nga pacientë të gjallë janë kryer në veshka
Në Kroaci, çdo person i ndjerë konsiderohet dhurues i mundshëm i organeve, përveç nëse ai ose ajo ka kundërshtuar më parë transplantimin e organeve të tij/saj. Ligjërisht nuk parashikohet të kërkohet një qëndrim nga familja si kusht për transplantim, por ende zbatohet në praktikë.
BiH – transplanti i fundit një vit e gjysmë më parë
Transplatimi i fundit në Federatën e Bosnje e Hercegovinës, sipas të dhënave të Shoqatës së Pacientëve në Dializë dhe me Organe të Transplantuara, është bërë më 21 janar 2020. Transplantet në BiH bëhen në tre qytete - Sarajevë, Tuzlla dhe Banja Llukë. Të dhënat më të fundit nga IRODAT për këtë vend janë të vitit 2017.
Në atë kohë janë regjistruar dy donatorë dhe janë bërë 13 transplantime veshkash nga pacientë të gjallë dhe katër nga pacientë të vdekur.
Një nga problemet kryesore me të cilat përballet ky vend është se ai nuk është anëtar i Europlant-it, një organizatë ndërkombëtare e shkëmbimit të organeve. Vetëm dy javë më parë Asambleja Parlamentare e Bosnje e Hercegovinës ndërmori aktivitetet për anëtarësim në Europlant. Procesi është i gjatë. Fillon me dërgimin e një letre për qëllimin.
Disa qindra pacientë janë në pritje të transplantit, ndërsa disa nga procedurat kryhen jashtë vendit. Në BeH, një organ mund t'i merret një personi të gjallë ose të vdekur vetëm nëse ai person ka nënshkruar më parë një deklaratë. Ajo deklaratë i jepet mjekut të kujdesit parësor, i cili ia përcjell organeve kompetente dhe mbahet si sekret profesional.
Tre donatorë në vitin 2020 në Serbi
Vetëm tre donatorë janë regjistruar në Serbi në vitin 2021. Ndërkohë, janë kryer pesë transplante, prej të cilit i fundi në tetor të vitit të kaluar. Numër i njëjtë donatorësh janë regjistruar edhe në vitin 2020, për dallim nga viti 2010 deri në vitin 2019, kur numri i donatorëve ishte deri në 40.
Në Serbi janë 725 qytetarë në listën e pritjes për veshkë. 61 persona presin transplantin e mëlçisë, 34 persona presin transplant zemre.
Verën e kaluar, Gjykata Kushtetuese e Serbisë shfuqizoi dy nene të Ligjit për Transplantimin e Organeve të Njeriut sepse bien ndesh me Kushtetutën. Sipas këtyre neneve, të gjithë qytetarët e rritur janë donatorë të mundshëm, përveç rastit kur ata ose familja e tyre pas konstatimit të vdekjes së trurit nuk kanë vendosur ndryshe.
Mal të Zi, dy transplante nga një pacient i vdekur
Transplantimi i organeve u prezantua në Mal të Zi në vitin 2012. Më pas është bërë transplanti i parë i veshkës dhe 165 qytetarë kanë nënshkruar kartelën e dhurimit. Ata u pajtuan që organet e tyre të mund të dhuroheshin. Katër vjet më vonë, numri i qytetarëve të gatshëm për të dhuruar organe u rrit në 300. Gjatë viteve të kaluara, sipas ministrisë së Shëndetësisë të Malit të Zi, vetëm katër qytetarë morën kartël dhurimi dhe njëri prej tyre hoqi dorë nga dhurimi i organeve.
Në Mal të Zi deri më tani janë kryer vetëm dy transplante kadaverike. E para në vitin 2013 dhe e dyta në vitin 2018, kur një qytetari që zotëronte kartel dhurimi iu hoq zemra, mëlçia, mushkëritë dhe veshkët. Karakteristikë e këtij vendi është se të afërmit e dhuruesit, si në Kroaci, nuk pyeten për dhurimin e organeve të tij pas vdekjes, nëse ai më parë kishte deklaruar se do t'i dhuronte ato. Ai person mund të tërheqë pëlqimin në çdo kohë.
Veshka organi më i transplantuar në Slloveni
Në Slloveni janë donuar 41 organe. Prej tyre 39 janë nga pacient të vdekur në vitin 2021. Po ashtu janë realizuar 104 transplantime. Prej të cilëve 51 të veshkëve, 21 transplantime të mëlçisë, 17 të zemrës dhe 15 të mushkërive.
Kosovë, brenda vitit Ligji për transplant të organeve
Shteti më i ri në Ballkan, Republika e Kosovës, është i vetmi shtet që ende nuk ka ligj të posaçëm për transplant të organeve. Debati për miratimin e këtij ligjit ka ngelur vetëm në kornizat e Kuvendit. Aktualisht në Kosovë është në fuqi vetëm Ligji për Transplantin e Indeve dhe Qelizave, dispozitat e të cilit nuk e rregullojnë transplatin e organeve. Një nismë për miratimin e këtij ligji ishtë ndërmarr në vitin 2012, por pa sukses. Autoritet shëndetësore në Kosovë, kanë paralajmëruar se brenda vitit pritet të dorëzohet në Kuvend një propozim ligj për transplant të organeve.
Çka është Eurotransplant dhe si funksionon?
Eurotransplant është një rrjet ndërkombëtar për alokimin e dhuruesve të organeve nga disa vende evropiane. Në kuadër të tij, organet bëhen më të qasshme për qytetarët e vendeve anëtare. Koha e pritjes për transplantim gjithashtu shkurtohet. Aktualisht, vetëm Kroacia dhe Sllovenia janë anëtarë të organizatës nga vendet e Ballkanit. Në vitin 2018 anëtar ishte edhe Mali i Zi. Anëtarë të Eurotransplantit janë edhe Gjermania, Belgjika, Austria, Holanda, Hungaria dhe Luksemburgu
14 Kor 2022
Cila është korniza ligjore e dhurimit dhe transplantit të organeve në rajon
Vendet e Ballkanit kanë procedura të ndryshme për dhurim dhe transplant të organeve. Operacionet e këtij lloji janë mjaftë të njohura në disa prej shteteve të rajonit, por ka të tillë që këto ndërhyrje kirurgjikale nuk realizohen aspak
TRT Balkan
Lajme të ngjashme
BeH dhe Shqipëria në top 5 vendet në botë me diasporën më të madhe
Pas shpërbërjes së RSF të Jugosllavisë, në fillim të viteve 90-ta të shekullit të kaluar, shumë emigruan nga vendet e Ballkanit në kërkim të një jete më të mirë. Në pjesën më të madhe, popullsia emigroi në një nga vendet më të zhvilluara të Evropës.
Artikujt në këtë kategori
Çfarë tjetër do të donit të dinit?
Popullore