Çdo i treti fëmijë i moshës 7-9-vjeçare në vendet e rajonit është me mbipeshë, tregon raporti i fundit i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropën. Sipas këtij raporti, Maqedonia e Veriut është e para në rajon me numrin e fëmijëve 7-vjeçarë të konsideruar obezë, sipas standardeve të OBSh-së.
Me parametrat universalë, mbipeshë konsiderohet çdo person me Indeks të Masës Trupore (BMI) 25 ose më shumë, ndërsa obezitet konsiderohet indeksi mbi 30.
Indeksi i Masës Trupore matet me formulë të thjeshtë, duke pjesëtuar peshën në kilogram me gjatësinë në metra në katror (shembull: 78kg/1.80m2 = BMI 24).
Në përgjithësi, 29% e fëmijëve të moshës 7-9-vjeçare në 33 vendet ku është bërë studimi, kanë rezultuar të jenë me mbipeshë ose obezë. Më shumë janë djemtë (31%) sesa vajzat (28%).
Nga ana tjetër, 12% e fëmijëve 7-9 vjeç janë obezë, më shpesh djemtë (14%) sesa vajzat (10%). Ka dallime të mëdha mes 33 shteteve të përfshira në studim. Më pak me mbipeshë i prekur është Taxhikistani me 6% të fëmijëve të kësaj moshe me mbipeshë dhe vetëm 1% obezë. Ndërsa më e prekur është Qiproja, ku 43% e fëmijëve janë me mbipeshë, ndërsa 19% obezë.
Maqedonia e Veriut, lider me numrin e fëmijëve obezë në rajon
Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Maqedonia e Veriut ka numrin më të madh të 7-vjeçarëve obezë, me rreth 15.3% prej tyre që bien në këtë kategori. Në përgjithësi, 31.6% e fëmijëve të kësaj moshe në Maqedoninë e Veriut janë me mbipeshë.
Kroacia ka numrin më të madh të fëmijëve me mbipeshë, me 35% të të gjithë fëmijëve të moshës 8-vjeçare. Megjithatë, ka më pak obezë sesa Maqedonia e Veriut, 14.8% nga të gjithë 8-vjeçarët.
Në Mal të Zi, 31.1% e fëmijëve 7-vjeçarë janë me mbipeshë dhe 13% janë obezë. Ndërsa në Serbi 31.3% janë me mbipeshë dhe 12.3% obezë.
Mënyra e ushqimit – fajtor kryesor
“Ushqimi i pashëndetshëm është faktor kyç për mbipeshën dhe obezitetin dhe globalisht konsiderohet përgjegjës për 11 milionë vdekje çdo vit”, thuhet në raportin e OBSh-së.
Për këtë shkak, raporti ka hulumtuar edhe mënyrën dhe llojin e ushqimit që konsumojnë fëmijët.
Në 29 vende ku janë matur parametrat e ushqimit, gjithsej 75% e fëmijëve thonë se hanë mëngjesin rregullisht dhe vetëm 3% nuk hanë aspak mëngjes. Edhe pse numri i fëmijëve që nuk ha fare mëngjesin është i ulët, të dhënat tregojnë se 1/4 e fëmijëve nuk hanë mëngjes për çdo ditë.
Më pak se gjysma e fëmijëve në këto vende, ose saktësisht 43% konsumojnë fruta të freskët rregullisht, ndërsa 7% konsumojnë më rrallë se një herë në javë ose asnjëherë.
Edhe më pak praktikohet konsumimi i perimeve. Vetëm 1/3 e fëmijëve (34%) konsumojnë perime për çdo ditë, ndërsa 11% e fëmijëve nuk hanë asnjëherë perime ose i konsumojnë ato më rrallë se një herë në javë.
Rreziqet nga mbipesha dhe si të parandalohet
Mbipesha konsiderohet si faktor i madh rreziku për disa grupe sëmundjesh. Ajo shton rrezikon për sëmundjet kardiovaskulare, diabetin, çrregullime muskulo-skeletore dhe disa lloje të kancereve. Gjithashtu, mbipesha shkakton edhe pasoja psikologjike, sidomos te fëmijët.
Në shumicën e rasteve, mbipesha mund të parandalohet ose të korrigjohet. OBSh-ja rekomandon kufizimin e konsumimit të yndyrnave dhe sheqernave; rritjen e konsumit të frutave dhe perimeve, si dhe drithëra; dhe shtimin e aktivitetit fizik të rregullt – 60 minuta në ditë për fëmijët dhe 150 minuta në javë për të rriturit.