Adoleshentët që i nënshtrohen presionit të bashkëmoshatarëve dhe fillojnë të pinë duhan ndoshta e bëjnë këtë sepse kanë më pak lëndë gri në pjesën e trurit që ndikon në vendimmarrje dhe ndjekje të rregullave.
Përveç kësaj, të rinjtë që zhvillojnë një zakon të pirjes së duhanit priren të përjetojnë një reduktim të lëndës gri në pjesën e trurit që kontrollon menaxhimin e kënaqësisë deri në fund të viteve të tyre të adoleshencës.
Të paktën kjo është ajo që del nga një studim mbi ndikimin e pirjes së duhanit tek adoleshentët dhe të rinjtë në Britaninë e Madhe, Francë, Gjermani dhe Irlandë, i cili u krye nga Universitetet e Kembrixhit, Fudanit dhe Warwick, ndërsa rezultatet u botuan në revistën Nature Communications.
Pas krahasimit të rezultateve të imazhit të trurit të pjesëmarrësve që filluan të pinë duhan në moshën 14-vjeçare me ata që nuk e bënë, dhe përsëritën procedurën për të njëjtët pjesëmarrës në moshën 19 dhe 23 vjeç, ata zbuluan se "mesatarisht, adoleshentët që filluan të pinë duhan nga mosha 14-vjeçare ka dukshëm më pak lëndë gri në pjesën e lobit frontal të majtë të lidhur me vendimmarrjen dhe thyerjen e rregullave."
Lënda gri, indi që përpunon informacionin dhe përmban të gjitha neuronet e një organi, përjeton kulmin e rritjes para adoleshencës, megjithëse zhvillimi i përgjithshëm i trurit vazhdon deri në moshën madhore.
Ekipi i shkencëtarëve zbuloi gjithashtu se njerëzit që filluan të pinë duhan në moshën 14-vjeçаre kishin një "humbje të lëndës gri në korteksin e djathtë paraballor", e cila është gjithashtu një pjesë e trurit e lidhur me pirjen e rëndë të alkoolit dhe përdorimin e marihuanës.
“Më pak lëndë gri në këtë rajon të trurit mund të kufizojë funksionin njohës, duke çuar në një vetëkontroll më të ulët dhe një prirje për sjellje të rrezikshme, siç është pirja e duhanit”, tha Barbara Sahakian nga Departamenti i Psikiatrisë në Universitetin e Kembrixhit.
Vdekjet vjetore nga pirja e duhanit pritet të arrijnë tetë milionë në mbarë botën deri në fund të dekadës. Aktualisht, një në pesë vdekje tek të rriturit çdo vit i atribuohet pirjes së duhanit vetëm në ShBA.
“Pirja e duhanit është ndoshta sjellja më e zakonshme e varësisë në botë dhe një shkak kryesor i vdekshmërisë së të rriturve”, Trevor Robbins, studiues.