Përqindja e duhanpirësve në Gjermani është rritur ndjeshëm që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit, sipas një studimi, rezultatet paraprake të të cilit janë raportuar nga agjencia DPA të shtunën.
Më shumë se një e treta (34.5 për qind) e njerëzve të moshës 14-vjeçare e lart pinë duhan, sipas sondazhit gjerman mbi zakonet e pirjes së duhanit (DEBRA), i cili është ende në vazhdim.
Para shpërthimit të epidemisë në fillim të vitit 2020, rreth 27 për qind e njerëzve pinin duhan, sipas një studimi në të cilin monitorohen zakonet e pirjes së duhanit në popullatën e gjerë.
Epidemiologu dhe kreu i DEBRA-s, Daniel Kotz, e përshkroi rritjen si një zhvillim të frikshëm.
Kotz ia atribuon këtë prirje kryesisht kthimit të ish-duhanpirësve që filluan përsëri të pinë duhan për shkak të stresit dhe ankthit të shkaktuar nga pandemia e Covid-19.
Ai theksoi se është ende inkurajuese që më pak të rinj kanë filluar të pinë duhan, ndryshe nga tendencat e viteve 1970 dhe 1980.
“Është inkurajuese që gjithnjë e më pak të rinj pinë duhan”, tha Christina Rummel, drejtoreshë e Qendrës Gjermane të Varësisë dhe shtoi se fatkeqësisht po vërehet trend i kundërt tek të rriturit.
Rummel është ndër ata që thonë se qeveria nuk po bën sa duhet për të parandaluar pirjen e duhanit me një politikë të fortë parandaluese, ndryshe nga Zelanda e Re, për shembull, e cila planifikon të ndalojë shitjen e cigareve në të ardhmen.
“Kur bëhet fjalë për politikën e kontrollit të duhanit, Gjermania është ndër vendet që mbeten prapa në krahasim me vendet e tjera”, tha ajo.
Katrin Schaller e Qendrës Gjermane të Kërkimit të Kancerit në Heidelberg tha se Gjermania duhet të godasë reklamat dhe makinat shitëse.
Përveç kësaj, ajo theksoi se prodhuesit po hedhin në qarkullim gjithnjë e më shumë produkte të reja si e-cigaret, ngrohësit e duhanit dhe qeset e nikotinës.