Sipas një studimi të Universitetit të Sidneit për të gjithë ata të cilët dëshirojnë që të kenë një trup të shëndoshë rekomandohet kontrollimi i ushqimeve që duhet konsumuar.
Si zgjidhje, rekomandohet të qëndroni larg ushqimeve të yndyrshme dhe të përpunuara. Studiuesit arrijnë në përfundimin se nivelet e larta të aktivitetit fizik nuk parandalojnë efektet negative të dietës së dobët në rrezikun e vdekshmërisë.
Autorët e hulumtimit theksojnë se njerëzit që ushtrojnë shpesh dhe ndjekin një dietë të shëndetshme kanë rrezikun më të ulët të vdekshmërisë. Ndaj këshillojnë se është shembulli më i mirë për t’u ndjekur në jetën e përditshme.
Një ekip shkencëtarësh hetuan efektet e pavarura dhe të kombinuara të dietës dhe aktivitetit fizik në rrezikun e vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet, sëmundjet kardiovaskulare dhe rrezikun e kancerit midis një kampioni të madh prej 360,600 të rriturish britanikë.
Të dhënat u siguruan nga Projekti Biobank i Mbretërisë së Bashkuar, një studim biomjekësor i vazhdueshëm dhe në shkallë të gjerë që monitoron rregullisht luhatjet biologjike, të sjelljes dhe shëndetit te njerëzit me kalimin e kohës.
Si duket një dietë e shëndetshme?
Për qëllimet e këtij studimi shkencor, studiuesit përcaktuan një dietë me cilësi të lartë si çdo gjë që përfshin të paktën pesë porcione frutash dhe perimesh në ditë, dy porcione peshku në javë dhe një konsum të ulët të mishit të kuq dhe të përpunuar.
Krahasuar me ata që ishin joaktivë dhe praktikonin një dietë të varfër, njerëzit që ushtroheshin rregullisht dhe ushqeheshin me një dietë të shëndetshme treguan një rrezik 17 përqind më të ulët të vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet, një rrezik 19 përqind më të ulët të vdekshmërisë nga sëmundjet kardiovaskulare dhe një rrezik 27 përqind më të ulët të rreziku i vdekshmërisë i lidhur me lloje të caktuara të kancerit.
“Aktiviteti i rregullt fizik dhe një dietë e shëndetshme luajnë një rol të rëndësishëm në shëndet dhe jetëgjatësi”, tha autori kryesor i studimit, Profesorja e asociuar Melody Ding nga Qendra Charles Perkins dhe Fakulteti i Shëndetësisë.
Sipas saj, disa njerëz mund të mendojnë se mund të kompensojnë efektet e një diete të dobët me nivele të larta stërvitjeje, ose të kompensojnë ndikimin e aktivitetit të ulët fizik me një dietë të cilësisë së lartë, por të dhënat tregojnë se fatkeqësisht nuk është kështu.
Ndërsa sipas bashkëautorit të studimit Joe Van Buskirk nga Shkolla e Shëndetit Publik të Universitetit të Sidneit praktikimi i një diete cilësore dhe aktiviteti i mjaftueshëm fizik janë të rëndësishme për reduktimin optimal të rrezikut të vdekjes nga të gjitha shkaqet, sëmundjet kardiovaskulare dhe kanceri.
Nga ana tjetër projektet e mëparshme kërkimore sugjerojnë se ushtrimet intensive mund të ndihmojnë në shmangien e përgjigjeve të dëmshme fiziologjike ndaj ngrënies së tepërt.
Ekipi australian i shkencëtarëve thekson se natyra afatgjatë e mënyrës se si dieta dhe stërvitja ndërveprojnë për të diktuar rezultatet shëndetësore mbetet një temë e nënstudiuar.
Ky punim shkencor i botuar në revistën profesionale “British Journal of Sports Medicine”, konfirmon rëndësinë e ushtrimeve fizike dhe të ushqyerjes cilësore në raport me rreziqet e vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet.
Poashtu sipas studiuesve të lartëpërmendur mesazhet e shëndetit publik dhe këshillat klinike duhet të fokusohen në promovimin e aktivitetit fizik dhe udhëzimeve dietike për të promovuar jetëgjatësinë e shëndetshme.