Drejtori i Përgjithshëm i Qendrës së Unionit Afrikan për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (Africa CDC), Jean Kaseya tha se epidemia Mpox nuk është vetëm problem i Afrikës por edhe i gjithë botës.
Kaseya në një konferencë për media tregoi zhvillimet lidhur me epideminë Mpox.
Sipas tij, nuk do të ishte e përshtatshme që Mpox të shihet si problem shëndetësor vetëm në Afrikë, duke shtuar se nga 26 gushti në 13 shtete anëtare të Unionit Afrikan janë raportuar 622 vdekje dhe 22.863 raste.
"Mpox është problem i madh shëndetësor, kryesisht në Afrikë, por edhe globalisht", tha Kaseya.
Ai shtoi se si Union vazhdojnë punimet për luftimin me epideminë, ndërsa tha se Afrika Qendrore është ndikuar më së shumti nga epidemia.
Virusi Mpox
Virusi Mpox transmetohet nga brejtësit si minjtë dhe ketrat ose nga individë të infektuar. Prekja e skuqjeve të trupit të shkaktuara nga virusi, përdorimi i rrobave, çarçafëve, peshqirëve dhe sendeve të ngjashme të kontaminuara me këto skuqje dhe kontakti me lëngjet trupore janë ndër shkaqet më të rëndësishme të kontaminimit.
Simptomat e para mund të shfaqen brenda 5 deri në 21 ditë pas marrjes së virusit. Virusi në përgjithësi shkakton temperaturë të lartë, dhimbje koke, dhimbje shpine dhe muskujsh, ënjtje të nyjeve limfatike, lodhje, të dridhura dhe flluska në lëkurë.
Sëmundja, e cila nuk ka metodë specifike trajtimi, trajtohet me barna antivirale. Shumica e rasteve kanë sëmundje të lehtë dhe shërohen brenda pak javësh. OBSH-ja në vitin 2022 ndryshoi emrin e sëmundjes nga "lia e majmunit" në "Mpox" për shkak të shqetësimeve rreth racizmit dhe diskriminimit.