Pjesët e braktisura të raketave në hapësirë kanë një mundësi prej 10 për qind për të plagosur rëndë ose vrarë dikë në dekadën e ardhshme, thonë studiuesit në Universitetin Britanik të Kolumbisë (University of British Columbia - UBC).
Incidente si ai që ndodhi në maj të vitit 2020, kur një pjesë 18 tonëshe e një rakete kineze Long March 5B ra nga orbita dhe mbetjet saj u përplasën në dy fshatra në Bregun e Fildishtë dhe dëmtuan disa ndërtesa ndoshta nuk do të jenë një dukuri e rrallë në të ardhmen.
Studiuesit e UBC-së, thonë se Qeveritë do të duhet të ndërmarrin aksione kolektive dhe të urdhërojnë që fazat e raketave të drejtohen të sigurta përsëri në Tokë pas përdorimit të tyre, gjë që mund të rrisë kostot e lëshimeve, por potencialisht të shpëtojë jetë.
“A lejohet t’a konsiderojmë humbjen e jetës njerëzore si një kosto të të bërrit biznes, apo është diçka që duhet të kërkojmë t’a mbrojmë kur të mundemi? Kjo është çështja thelbësore këtu: ne mund të mbrohemi nga ky rrezik”, thotë autori kryesor Michael Byers, profesor në departamentin e shkencave politike në UBC, në një njoftim të lajmeve.
Kur objekte të tilla si satelitët lëshohen në hapësirë, ata përdorin raketa, pjesë të të cilave shpesh lihen në orbitë. Nëse këto mbetje të raketave kanë një orbitë mjaft të ulët, ato mund të rihyjnë në atmosferë në mënyrë të pakontrolluar. Pjesa më e madhe e materialit do të digjet në atmosferë, por pjesët potencialisht vdekjeprurëse ende mund të lëvizin drejt tokës.
Në studimin e Nature Astronomy, studiuesit vëzhguan mbi 30 vjet të dhëna nga një katalog publik satelitor dhe e llogaritën rrezikun e mundshëm për jetën e njeriut gjatë 10 viteve të ardhshme, duke pasur parasysh shkallën përkatëse të rihyrjeve të pakontrolluara të trupave raketor, orbitat e tyre dhe popullatën.
Duke përdorur dy metoda të ndryshme, ata zbuluan se praktikat aktuale kanë një mundësi prej 6 deri në 10 përqind për një ose më shumë viktima gjatë dekadës së ardhshme nëse çdo rihyrje shpërndan mbetje të rrezikshme mesatarisht në një sipërfaqe prej 10 metrash katror.
Ndërsa llogaritjet marrin në konsideratë mundësinë e një ose më shumë viktimave për njerëzit në tokë, doktor Byers thotë se ata nuk i marrin në konsideratë skenarët më të këqinj, siç është një copë e mbetjeve të godet një aeroplan gjatë fluturimit.
Për më tepër, ata zbuluan se Jugu Global mbart rrezikun në mënyrë joproporcionale, pavarësisht se kombet kryesore të hapësirës janë të përqëndruar në ekonomi të përparuara, me trupa raketor që kanë rreth tre herë më shumë gjasa të zbresin në gjerësinë gjeografike të Dhakës, Xhakartës dhe Lagos sesa në atë të Nju Jorkut, Moskës apo Pekinit. Kjo është për shkak të shpërndarjes së orbitave të përdorura kur satelitët lëshohen.
Përderisa rreziku për individët është aktualisht i ulët, lëshimet në hapësirë janë në rritje.
“Rreziqet janë vlerësuar mbi bazën e lansimit të deritanishëm, duke u dhënë njerëzve ndjenjën se rreziku është aq i vogël sa mund të injorohet me siguri. Por, rreziku kumulativ nuk është aq i vogël”, tha bashkautori doktor Aaron Boley, profesor lidhës në departamentin e fizikës dhe astronomisë.
“Nuk ka pasur ende viktima të raportuara dhe asnjë ngjarje të viktimave masive, por, a presim atë moment dhe më pas të reagojmë, veçanërisht kur ka të bëjë me jetën njerëzore, apo përpiqemi t'i dalim përpara?”.
Aktualisht ekzistojnë dizajne teknologjike dhe misione që mund t’a largojnë në masë të madhe këtë rrezik, duke përfshirë motorët që ringjallen, si dhe karburant shtesë, për të udhëhequr trupat raketor në mënyrë të sigurtë në zonat e largëta të oqeanit. Por, këto masa kushtojnë para dhe aktualisht nuk ka marrëveshje shumëpalëshe që detyrojnë kompanitë të bëjnë këto ndryshime, thotë doktor Byers.
Ekzistojnë shembuj të një veprimi të tillë kolektiv ndërkombëtar, shton doktor Byers, duke përfshirë tranzicionin e mandatuar nga anijet e vetme në të dyfishta në cisternat e naftës pas derdhjes së Exxon Valdez dhe heqjen graduale të klorofluorokarboneve për të mbrojtur shtresën e ozonit në vitet 1980.
Të dyja kërkonin disa kosto për të ndryshuar praktikën, por në përgjigje të analizave të reja shkencore, ekzistonte një vullnet kolektiv për ta bërë këtë dhe, në të dyja rastet, ato ishin plotësisht të suksesshme. Ajo që ne po propozojmë është plotësisht e realizueshme dhe për këtë arsye nuk ka asnjë justifikim për të vonuar veprimet për këtë çështje.
Drejtimet e ardhshme të kërkimit do të përfshijnë shtimin e modeleve, të cilat aktualisht supozojnë se të gjitha trupat raketor janë me të njëjtën madhësi, thotë bashkautori Ewan Wright, një student doktorature në studimet ndërdisiplinore.
“Përderisa disa kanë masën e një lavatriçe mesatare, të tjerat kanë masë deri në 20 tonë. Kjo ndikon në sasinë e materialit që digjet në atmosferë dhe shtimi i këtij detaji do të përmirësonte modelet tona. Megjithatë, shumë pak dihet se si digjen trupat raketor, kështu që është e rëndësishme të kuptosh më mirë 'zonën e viktimave' të mbetjeve vdekjeprurëse që arrijnë në tokë”.
23 Kor 2022
A mund të vriteni nga rënia e mbetjeve hapësinore?
Studiuesit thonë se është e mundur, dhe se Qeveritë duhet të veprojnë shpejtë
TRT World
Lajme të ngjashme
Artikujt në këtë kategori
Çfarë tjetër do të donit të dinit?
Popullore