Prodhuesi më i madh evropian i akullores është Gjermania, e cila në vitin 2022 ka prodhuar 620 milionë litra akullore, ndërsa eksportuesi më i madh është Franca, e cila vitin e kaluar ka eksportuar 53 milionë kilogramë akullore jashtë bllokut të BE-së.
Çmimi mesatar më i ulët i akullores është shënuar po ashtu në Gjermani. Sipas të dhënave të Eurostatit, një litër akullore në Gjermani kushton 1,5 euro.
Franca si vendi i dytë për nga prodhimi i akullores me 591 milionë litra të prodhuara ka një çmim mesatar prej 1,9 euro për litër akullore.
Italia, vendi i gelatos, është në vendin e tretë për sa i përket prodhimit të akullores. Italianët kanë prodhuar 571 milionë litra akullore në vitin 2022 dhe kanë një çmim mesatar për litër akullore prej 2,3 euro.
Akullorja më e shtrenjtë e prodhuar është në Austri me çmim 7 euro për litër akullore. Pas saj vijnë Danimarka dhe Finlanda, me çmime nga 2,8 euro deri në 4,4 euro për litër akullore.
Afro 1 miliardë euro eksport të akullores
Në nivel evropian, vendi më i suksesshëm në eksportin total të akullores është Franca. Në vitin 2022, u eksportuan 53 milionë kilogramë akullore, që përfaqëson pothuajse një të katërtën e të gjitha eksporteve të akulloreve nga BE-ja.
Prodhuesit evropianë të akullores arritën të gjenerojnë pothuajse një miliard euro të ardhura nga eksportet e akullores jashtë BE-së. Në total janë eksportuar 250 milionë kilogramë akullore me të ardhura prej 930 milionë eurosh.
Holanda eksportoi 42 milionë kilogramë akullore, e ndjekur nga Italia me një eksport prej 31 milionë kilogramësh akullore, Gjermania ka regjistruar një eksport prej 28 kilogramësh akullore dhe pesëshen e madhe e mbyll Belgjika me një eksport prej 23 kilogramë tonë akullore.
Rreth 61 milionë kilogramë akullore janë importuar në BE nga jashtë bllokut me një vlerë prej 203 milionë euro në vitin 2022, kështu duke u ulurme 14 për qind me bazë vjetore.