Makarona si specialitet italian, përveç që konsumohet në masë të madhe edhe në vendet e tjera të botës, ka edhe vende të cilat më së shumti e prodhojnë për eksport sesa për konsum.
Kur përmenden brumërat, menjëherë të asocon te makaronat dhe Italia si vendi sinonim i makaronave.
Mbështetur në Anketën Globale të Konsumatorëve, Statista, 81 për qind e familjeve në Itali kanë rregullisht makarona në menytë ditore.
Italia, përveçse e ka primatin për konsumimin më të lartë të makaronave në botë, ata dallohen edhe për nga prodhimi, me 3.2 milionë tonelata makarona në vit.
Ndonëse nuk njihet as në top 5 vendet e prodhimit të makaronave në botë, Franca është vendi që i afrohet më së shumti Italisë për konsumim të specialitetit italian.
Sipas anketës në fjalë, 78 për qind e të anketuarve e konsiderojnë makaronën si një element të rregullt në listën e tyre të blerjeve.
Ngjashëm me Francën, as Britania e Madhe dhe Gjermania nuk shquhen në listën e ngushtë të vendeve që prodhojnë makarona, megjithatë konsumi i tyre është në përqindje të lartë.
Në Britaninë e Madhe, 69 për qind e familjeve e shtrojnë makaronën në tryezë, ndërkaq në Gjermani 62 për qind.
Më pas vjen ShBA-ja, me 55 për qind, diçka që nuk përbën habi me faktin se e njëjta radhitet në vendin e dytë pas Italisë për prodhimin e makaronave, me 2.6 milionë tonelata në vit.
Vendet aziatike e kursejnë veten nga gluteni i makaronës
Siç tregojnë analizat e Statisa-s, vendet ku orizi është tradicionalisht baza sa u përket specialiteteve që konsumojnë më së shumti, si India, Kina dhe Koreja e Jugut, kanë një boshllëk shumë më të vogël për të mbushur dietat e tyre me diçka si makarona.
Në Indi, 30 për qind e të anketuarve thanë se hanë rregullisht makarona, në Korenë e Jugut 17 për qind, ndërsa në Kinë kjo shifër zbret në vetëm 16 për qind.
Mënjanë traditën, një arsye tjetër për të mos ngrënë shumicën e llojeve të makaronave mund të jetë një alergji ndaj glutenit, përbërje kjo bazë e makaronës.
Pas Italisë dhe ShBA-së, vendet me prodhimtari më të madhe të makaronave janë Brazili, Rusia dhe Zvicra, të cilat nuk është se i konsumojnë aq shumë, por i eksportojnë.
Ndryshe, kjo anketë është realizuar gjatë periudhës tetor 2021 deri më shtator të vitit 2022, dhe ka përfshirë mbi 7.000 të rritur nga mosha 18 deri në moshën 64 vjeç.