Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka pranuar një telegram urimi për 16-vjetorin e pavarësisë nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.
“Me këtë rast, Presidenti Biden ka konfirmuar se Kosova dhe Shtetet e Bashkuara ndajnë një miqësi dhe partneritet të qëndrueshëm të përforcuar nga vizioni i përbashkët për një rajon më paqësor, më të sigurt dhe më prosperues”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidentes së Kosovë e cila e ka shpërndarë të plotë letrën e presidentit amerikan.
“Kosova dhe Shtetet e Bashkuara ndajnë një miqësi dhe partneritet të qëndrueshëm - të forcuar nga vizioni ynë i përbashkët për një rajon më paqësor, më të sigurt dhe më të begatë. Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqishëm Kosovën multietnike dhe integrimin e saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike. Ne gjithashtu vazhdojmë të mbështesim përpjekjet e Dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë - një hap i rëndësishëm drejt njohjes së ndërsjellë eventuale. Krahas kombeve në gjithë rajonin dhe në mbarë botën, Shtetet e Bashkuara inkurajojnë lidershipin e Kosovës që të përmbushë të gjitha obligimet e saj, duke përfshirë të gjitha marrëveshjet e kaluara të arritura përmes këtij procesi”, thuhet në letrën e Biden drejtuar Osmanit.
Vitin e ardhshëm, mezi pres të vazhdojmë të punojmë së bashku për ndërtimin e rritjes ekonomike gjithëpërfshirëse, forcimin e institucioneve demokratike dhe avancimin e shtetit të së drejtës. Unë gjithashtu pres me padurim bashkëpunimin tonë të vazhdueshëm të sigurisë dhe përpjekjet e përbashkëta për të avancuar reformat e nevojshme për të arritur përfundimisht qëllimin e Kosovës për integrimin në BE. Dhe së bashku ne do të vazhdojmë të ngrihemi për lirinë - përfshirë duke qëndruar së bashku me Ukrainën përballë agresionit brutal të Rusisë”, përfundon letra e presidentit amerikan drejtuar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.