Alarm për bombë, mbyllet përkohësisht aeroporti “Adem Jashari” në Prishtinë

Alarm për bombë, mbyllet përkohësisht aeroporti “Adem Jashari” në Prishtinë

Sipas zëdhënëses së aeroportit Valentina Gara, udhëtarët dhe personeli janë evakuuar me kohë dhe janë të sigurt.
Alarm për bombë, mbyllet përkohësisht aeroporti “Adem Jashari” në Prishtinë.     Foto: AA

Alarmimet anonime për bomba në rajon kanë targetuar sot edhe Kosovën. Policia e Kosovës informoi se është mbyllur përkohësisht aeroporti ndërkombëtar “Adem Jashari" në Prishtinë.

Sipas Policisë, mbyllja e përkohshme e aeroportit ka ndodhur për shkak të një kanosjeje me mjete shpërthyese.

“Policia e Kosovës, sot në orët e paradites ka pranuar një informacion me përmbajtje kërcënuese, për mjete shpërthyese në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë. Bazuar në këtë informacion, Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe në koordinim me institucionet relevante, ka ndërmarrë veprimet e menjëhershme policore, ku për shkaqe sigurie ka mbyllur përkohësisht aeroportin. Me qëllim të hetimit, kontrollit dhe masave të sigurisë, janë angazhuar njësitet relevante, andaj kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve”, ka bërë të ditur Policia.

Edhe zyra e aeroportit “Adem Jashari” informon se kërcënimet me bombë janë arsyeja e evakuimit të aeroportit. Sipas zëdhënëses së aeroportit Valentina Gara, udhëtarët dhe personeli janë evakuuar me kohë dhe janë të sigurt.

TRT Balkan / agjencitë