Gërvalla, letër drejtuar presidentit të Këshillit Evropian / Photo: AA

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, në një letër drejtuar presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Theodoros Rousopoulos, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës është duke përgatitur një draft për krijimin e një mekanizmi për vetëmenaxhim, koordinim dhe bashkëpunim të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Kjo letër vjen pas votës prej 82 për qind të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në favor të anëtarësimit të shtetit të Kosovës.

Gërvalla shkruan se “Letra përmban zotimin që Qeveria e Republikës së Kosovës do të përgatisë një draft për krijimin e një mekanizmi për vetmenaxhim, koordinim dhe bashkëpunim të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i cili përmbush detyrimet e trashëguara ndërkombëtare të Kosovës, plotëson nevojat e qytetarëve të komunitetit serb të Republikës së Kosovës, por njëkohësisht respekton në tërësi dhe në secilin detaj të tij Kushtetutën dhe të gjitha ligjet e Republikës së Kosovës, si dhe njëkohësisht edhe parimet e Këshillit të Evropës”.

Një draft i tillë, sipas ministres, ka si qëllim integritetin e komuniteteve joshumicë dhe zbatimit të ligjeve të Republikës së Kosovës në të gjitha komunat.

“Drafti siguron jo vetëm respektimin e plotë të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, por në të njëjtën kohë pamundëson ndërhyrjet e palejueshme nga jashtë, si në komunat e Kosovës, ashtu edhe në gjithë vendin”, nënvizoi Gërvalla.

Ministrja e Jashtme paraqet në shkrimin e saj një kërkesë për Këshillin e Evropës, që të përmbushë pjesën e vet të detyrimit dhe të ftojë Kosovën për t'iu bashkuar pa vonesë Këshillit të Evropës, që sipas saj, Kosova është vendi të cilit jo vetëm që i janë vendosur më së shumti kushte për anëtarësim në këtë organizatë, por i cili i ka përmbushur të gjitha këto kushte.

“Kosova e pavarur dhe sovrane, si shtet ligjor dhe demokratik, mbetet në kursin e saj të palëkundur drejt anëtarësimit në NATO dhe BE.” shkruan Gërvalla në përfudim të letrës drejtuar Presidentit të Këshillit Europian.

Ndryshe, Kosova nuk është futur në agjendën e KiE-së për 16 e 17 maj.

AA