Hapet panairi "Gratë në Biznes" në Prishtinë, në të cilin po marrin pjesë biznese dhe shoqata të grave ndërmarrëse nga komunitete të ndryshme në Kosovë.
Nën drejtimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), në këtë panair u shpalosën produkte të ndryshme të bizneseve të udhëhequra nga gratë.
Në kuadër të panairit, veshje kombëtare, ushqime tradicionale, instrumente muzikore, punime artizanale të bëra nga duart e grave zunë vend në sheshin e Prishtinës.
Ministrja e MINT-it, Rozeta Hajdari, e cila hapi zyrtarisht panairin, tha se qëllimi i Qeverisë së Kosovës është që të rritet sa më shumë pjesëmarrja e grave në biznese "gjë për të cilën ekzekutivi edhe e ka lehtësuar këtë rrugë".
"Tani kemi lehtësuar regjistrimin e bizneseve për gratë duke u ndihmuar atyre me grante në artizanate. Tani për tani MINT ka lansuar grant-skemën për artizanatet, për punëdoret e juaja të cilat sot po i ekspozoni", tha ministrja Hajdari duke shtuar se janë afër gjysmë-milionë euro për gratë që do të aplikojnë për grante.
Përpos promovimit të bizneseve dhe shoqatave të udhëhequra nga gratë dhe produkteve që këto biznese ofrojnë në fushat e tyre përkatëse, ky panair ka për qëllim inkurajimin e ndërmarrësisë dhe rrjetëzimin e grave ndërmarrëse në shoqëri dhe në biznes.