Kosovë, organizohet Forum Ekonomik me investitorë sauditë / Photo: AA

Oda Ekonomike e Kosovës dhe Federata e Odave Ekonomike nga Arabia Saudite kanë organizuar Forumin Ekonomik biznes me biznes, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të bizneseve nga të dyja vendet.

Në këtë forum morën pjesë përfaqësues të të dyja palëve, si edhe ndërmarrës, përfshirë 60 investitorë biznesmenë nga Arabia Saudite.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, foli për përparësitë dhe lehtësitë që ofron Kosova në fushën e biznesit, duke ftuar investitorët sauditë të jenë pjesë e rritjes së vendit.

"Unë dua t’ju siguroj që Kosova është një vend që ofron shumë mundësi dhe ku investitorët respektohen më shumë se sa vetëm për kapitalin e tyre. Në këtë drejtim, ju ftoj të jeni partner të rritjes sonë, të jeni pjesë e tregimit të suksesshëm të shtetit tonë", u shpreh Rafuna para biznesmenëve sauditë.

Në lidhje me tatimet doganore, Rafuna bëri të ditur se Kosova operon aktualisht me tatim doganor zero në tregun evropian dhe shtoi gjithashtu se falë marrëveshjes së Tregtisë së Lirë me Republikën e Türkiyes, norma tatimore pritet të bëhet zero për qind tatim në vitin e ardhshëm.

Rafuna shtoi se "Kosova është një vend i hapur për biznes, dhe kemi iniciativa konkrete për të rritur lehtësimin e procedurave tregtare dhe investuese."

Kryetar i Federatës së Odave Ekonomike të Arabisë Saudite, Hasan Al Huawizi, u shpeh gjatë takimit se forumi do të jetë një shtysë e fortë për një bashkëpunim mes dy shteteve.

"Ekziston nevoja urgjente për intensifikimin dhe vizitat e delegacioneve të ndërsjella tregtare për të njohur komunitetin e biznesit me mundësitë e disponueshme tregtare dhe investuese në të dyja vendet", deklaroi Kryetari i Federatës Huawizi.

Ai theksoi po ashtu se rritja e vëllimit të shkëmbimit tregtar në mes të dyja vendeve është një hallkë e rëndësishme për themelimin e marrëdhënieve ekonomike dhe një mbështetës i fuqishëm i nismave të përbashkëta investuese mes dy vendeve.

Forumi me investitorët sauditë është organizimi i parë i këtij lloji, i cili po mbahet në Kosovë.

AA