Kurti: Serbia ende nuk e dorëzon në Kosovë kryekriminelin Milan Radojçiq / Photo: AA

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke folur para kabinetit qeveritar ka thënë se Serbia ende nuk është mbajtur përgjegjëse për sulmin terrorist që ndodhi në Banjska të Zveçanit në shtator të vitit 2023.

Kurti në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, tha se para katër ditësh u bënë 11 muaj nga "agresioni i Serbisë ndaj vendit tonë, kur u vra rreshteri i Policisë, tash heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku".

"Për këtë sulm Serbia ende nuk është mbajtur përgjegjëse dhe vijon të mos dorëzojë drejt autoriteteve tona kryekriminelin e saj, Milan Radojçiq. Edhe gjatë qëndrimit në ShBA, në takimet bilaterale me senatorë e kongresistë amerikanë, në margjina të Konventës së Demokratëve, kërkova që të ketë më shumë trysni nga bota perëndimore e demokratike, për vënie para drejtësisë, kundrejt akteve terroriste e destabilizuese të Beogradit zyrtar dhe individëve përkatës përgjegjës", theksoi Kurti.

Kurti tha se pas vizitës në ShBA javën e kaluar, në harkun kohor të pak ditëve, në Kosovë kanë qëndruar mysafirë shefi i Agjencisë Qendrore për Inteligjencë, William Burns dhe Admirali Stuart Munsch i cili është Komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli.

Sipas tij, mbështetja e tyre është e palëkundur, bashkëpunimi i gjerë dhe i fuqishëm kurse përkushtimi i përbashkët është serioz dhe produktiv, në shërbim të paqes dhe sigurisë, të cilat ecin paralelisht me sundimin e rendit dhe ligjit, si dhe progresin demokratik dhe ekonomik.

Ai paralajmëroi se nesër për vizitë në Kosovë do të vijë Thomas Goffus, Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm për Operacione i NATO-s, ndërsa sot një delegacion danez i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ndërkaq javën e ardhshme do të mirëpres dy ministra të jashtëm të dy shteteve anëtare të NATO-s.

Kryeministri Kurti shtoi se në të gjitha këto takime natyrisht diskutohet edhe çështja e hapjes së urës qendrore mbi lumin Ibër në Mitrovicë "për të cilën jemi duke i bërë të gjitha konsultimet e nevojshme, si dhe punët tona të shtëpisë, si për shembull trajtimi i draftit preliminar për qëndrueshmërinë fizike të urës, teksa presim raportin final, e deri te përgatitjet për rregullimin e pamjes dhe pastrimin e mjedisit rrotull".

Kurti përsëriti se hapja e urës së Ibrit është liri e lëvizjes dhe se liria e lëvizjes është e drejtë themelore si në Republikën e Kosovës ashtu edhe në Bashkimin Evropian.

TRT Balkan / agjencitë