Mbi 200 ekspozues në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Prishtinë.     / Foto: AA

Mbi 200 kompani pjesëmarrëse nga 10 shtete të Evropës morën pjesë në hapjen e Panairit Ndërkombëtar të Turizmit në Prishtinë.

Ky panair i cili u mbajt në qendrën sportive "1 Tetori" u organizua nga Unioni i Turizmit të Kosovës nën patronatin e Komunës së Prishtinës, me ç’rast prezentuan ofertat e tyre turistike kompani nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Türkiye, Bullgaria, Greqia, Sllovenia, Kroacia dhe Italia.

Sipas organizatorëve, qëllimi i panairit është promovimi i turizmit dhe traditave të vendeve përkatëse.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila mori pjesë në hapjen e panairit, tha se turizmi kontribuon në zhvillimin e një vendi.

Ajo tha se Kosova e ka potencialin e jashtëzakonshëm turistik me pika të ndryshme kulturore, lokalitete arkeologjike dhe objekte kulti.

"Ka ende shumë punë për t'u bërë në sferën e turizmit. Në këtë rrafsh dua ta përmend digjitalizimin e destinacioneve turistike, i cili është një ndër synimet kryesore të institucioneve të Kosovës. Ne duhet të synojmë që Kosovën ta bëjmë pjesë e paketave turistike të Evropës, jo vetëm të Ballkanit, duke bërë të mundshme që turistë nga vende të ndryshme të globit nga të gjitha kontinentet, ta kenë destinacion edhe vendin tonë", theksoi Osmani.

Kryetari i Unionit të Turizmit të Kosovë, Baki Hoti, tha se Kosova ka bërë përparim në organizimin e ngjarjeve të tilla si panairi i turizmit.

Ai tha se qëllimi i panairit është që të bëhet promovimi i turizmit, traditave dhe vlerave të vendeve pjesëmarrëse.

"Me qëllim që Kosova të përfshihet sa më shumë në paketat ballkanike dhe kështu të kemi sa më shumë numër vizitorësh", theksoi Hoti.

Panairi, në të cilin po marrin pjesë rreth 20 kompani nga Türkiye do të jetë i hapur për publikun deri të shtunën, më datë 18 mars 2023.

TRT Balkan / agjencitë