Ministrja e Drejtësisë Haxhiu dënon plagosjen e qytetarit serb në veri.   / Foto: AA

Ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu në konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë ka folur për rastin e plagosjes së qytetarit serb në veri të vendit.

Haxhiu ka thënë se Policia e Kosovës ka bërë një punë të jashtëzakonshme për të ndriçuar shkaqet dhe rrethanat e rastit, derisa theksoi se gjatë kohës ka pasur përpjekje maksimale nga institucionet kosovare për të mbrojtur qytetarët, qofshin serbë apo shqiptarë.

Ajo e dënoi incidentin në veri nga i cili mbeti i plagosur një person i etnisë serbe.

"Sigurisht që e dënojmë rastin e mbrëmshëm sikurse edhe ka folur ministri i Punëve të Brendshme dhe, siç e dini, menjëherë katër policë janë suspenduar nga institucionet përgjegjëse dhe të katër zyrtarët policorë janë në mbajtje", tha ministrja Haxhiu.

Ministrja u bëri thirrje organeve të drejtësisë që ta trajtojnë këtë rast me seriozitet dhe përgjegjësi.

Sa u.përket zgjedhjeve të ardhshme në katër komuna në veri të Kosovës, Haxhiu tha se u takon institucioneve të sigurisë dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që të vlerësojnë gjendjen e sigurisë dhe më pas Qeveria do të marrë vendim për zgjedhjet.

"Në momentin kur do të kemi informacione të tilla se zgjedhjet nuk do të mbahen ose nuk do të duhej të mbaheshin, atëherë sigurisht që do të japim qëndrimin tonë", theksoi Haxhiu.

Incidenti në veri ndodh në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok të planifikuara për 23 prill.

KQZ-ja e Kosovës, ashtu sikurse dje, edhe sot ka shtyrë mbledhjen ku duhet të shqyrtohet vlerësimi i rrezikut për votim për zgjedhjet e në katër komunat me shumicë serbe.

KQZ-ja gjithashtu nuk ka miratuar ende listën e qendrave të votimit që do të jenë të hapura për ditën e zgjedhjeve.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e mbështetur nga Beogradi zyrtar, nuk ka aplikuar për zgjedhjet e prillit, me arsyetimin se nuk janë plotësuar kërkesat e tyre për shtyrjen e vendimit për legalizimin e targave të automjeteve, formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe tërheqjen e pjesëtarëve të njësisë speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i vendit.

TRT Balkan / agjencitë