Osmani për blerjen e Javelin: Kosova po hyn në fazë vendimtare të Mbrojtjes / Photo: AA Archive

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shkruar për kërkesën që Kosova ia ka bërë Shteteve të Bashkuara të Amerikës për blerjen e raketave anti-tank Javelin, në vlerë prej 75 milionë dollarësh.

“Republika jonë po hyn në një fazë të re dhe vendimtare për Aftësitë tona të Mbrojtjes Kombëtare, duke zhvilluar Forcat e Sigurisë së Kosovës sipas standardeve të NATO-s dhe duke thelluar më tej marrëdhëniet me partnerin strategjik, Shtetet e Bashkuara”, shkruan Osmani.

Osmani tha se si Komandante e Përgjithshme e FSK-së i përgëzon të gjitha përpjekjet dhe energjitë që institucionet mbrojtëse të vendit kanë bërë ndër vite për të siguruar që të përmbushen kriteret e përshtatshmërisë së Programit të Shitjes së Jashtme Ushtarake të Departamentit të Shtetit.

E para e shtetit tha se ka besim të plotë se Kongresi do ta mbështesë këtë shitje ndaj kombit, të cilin ajo e quajti më “proamerikan në tokë, si një akt që do ta rrisë sigurinë në Kosovë, rajon dhe kontinentin evropian”.

“Në veçanti, dëshiroj të falënderoj Sekretarin e Shtetit Blinken, me të cilin ne u angazhuam në diskutime në lidhje me Programin e Shitjes së Jashtme Ushtarake në korrik 2022, Departamentin e Mbrojtjes së ShBA-së dhe Kongresin e Shteteve të Bashkuara, i cili tani ka marrë njoftim zyrtar për qëllimin e Kosovës për të blerë sistemet e armëve nëpërmjet programit”, tha Osmani.

TRT Balkan / agjencitë