Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se është duke vazhduar periudha e aplikimit për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për votim në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, e cila ka filluar më 29 gusht dhe do të përfundojë më 26 dhjetor 2024.
Sipas KQZ-së, brenda kësaj periudhe, të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit mund të aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës. Aplikimi mund të bëhet përmes platformës elektronike http://diaspora.kqz-ks.org ose përmes postës në kutinë postare të KQZ-së.
“Gjatë kësaj periudhe, në momentin e regjistrimit votuesit mund të përcaktohen individualisht për mënyrën e votimit: Të votojë fizikisht në njërën nga përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës; duke dërguar fletëvotimin përmes postës në kutinë postare të KQZ në Kosovë; duke dërguar fletëvotimin përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës.”, njofton KQZ-ja.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve inkurajon të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për t’u bërë pjesë e procesit zgjedhor në Republikën e Kosovës, fillimisht duke u regjistruar si votues jashtë Kosovës dhe më vonë duke votuar”, thuhet në komunikatën e KQZ-së.