Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi ka thënë se beson që raporti i kreut të Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka përmbajtje pozitive dhe rekomandon heqjen e masave ndaj Kosovës të vendosura nga BE-ja.
Bislimi, duke raportuar në Komisionin për Integrim Evropian të Kuvendit të Kosovës tha se raporti i Borrellit, përpilimi i të cilit u kërkua nga vendet e BE-së në mënyrë që të vlerësohet nëse janë përmbushur apo jo kushtet që Kosovës t'i hiqen masat ndëshkuese "ishte i gatshëm prej prillit, por, pati hezitime" për dorëzimin e tij.
"Në bazë të informatave që neve na kanë ardhur, raporti i Borrellit ka pasur hezitime që i njëjti të dërgohet në Komision, për shkak se si duket ka ende individë brenda Komisionit të cilët kanë interes ta shtyjnë heqjen e masave ndaj Kosovës dhe si rezultat i kësaj ta dëmtojnë Kosovën", nënvizoi Bislimi.
Ai njoftoi se ky raport, përmbajtja e të cilit ende nuk dihet, pritet të dorëzohet gjatë javës së ardhshme, derisa vlerësoi se masat e BE-së në mënyrë indirekte kanë ndikuar në imazhin e Kosovës dhe integritetin e BE-së.
Megjithatë, ai theksoi se përkundër masave ndëshkuese, asnjë projekt i BE-së në vazhdim nuk është pezulluar. Sipas Bislimit, BE-ja i ka vendosur katër lloje të masave ndëshkuese, për të cilat “baza ligjore e tyre është shumë e diskutueshme".
BE-ja i vendosi masa Kosvoës në qershor të vitit 2023 pas përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veriun e Kosovës, pas fillimit të punës së katër kryetarëve shqiptarë në katër komunat veriore me shumicë serbe.