Rreth 5 milionë fëmijë vdiqën para ditëlindjes së tyre të pestë dhe 2.1 milionë fëmijë dhe të rinj të moshës 5-24 vjeç humbën jetën në vitin 2021, sipas vlerësimeve më të fundit të publikuara nga Grupi Ndëragjencior i Kombeve të Bashkuara për Vlerësimin e Vdekshmërisë së Fëmijëve (UN IGME).
Në një raport të veçantë të publikuar sot, grupi zbuloi se 1.9 milionë foshnja lindën të vdekura gjatë së njëjtës periudhë. Tragjikisht, shumë nga këto vdekje mund të ishin parandaluar me qasje të barabartë dhe kujdes shëndetësor cilësor të nënës, të porsalindurit, fëmijëve dhe adoleshentëve.
“Çdo ditë, shumë prindër po përballen me traumën e humbjes së fëmijëve të tyre, ndonjëherë edhe para frymëmarrjes së tyre të parë”, tha Vidhya Ganesh drejtoreshë e UNICEF-it e Divizionit të Analitikës, të Planifikimit dhe të Monitorimit të të Dhënave.
“Tragjedi e tillë e përhapur dhe e parandalueshme nuk duhet pranuar kurrë si e pashmangshme. Përparimi është i mundur me vullnet më të fortë politik dhe investime të synuara në qasjen e barabartë në kujdesin shëndetësor parësor për çdo grua dhe fëmijë”, tha Ganesh.
Raportet tregojnë disa rezultate pozitive me një rrezik më të ulët të vdekjes në të gjitha moshat në nivel global që nga viti 2000.
Shkalla globale e vdekshmërisë nën pesë vjeç ra me 50 për qind që nga fillimi i shekullit, ndërsa shkalla e vdekshmërisë te fëmijët më të rritur dhe të rinjtë ra me 36 për qind dhe shkalla e lindjeve të vdekura u ul me 35 për qind. Kjo mund t’u atribuohet më shumë investimeve në forcimin e sistemeve shëndetësore parësore në dobi të grave, fëmijëve dhe të rinjve.
Megjithatë, përfitimet janë ulur ndjeshëm që nga viti 2010 dhe 54 vende nuk do të arrijnë të përmbushin cakun e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm për vdekshmërinë nën pesë vjeç.
Nëse nuk ndërmerren veprime të shpejta për të përmirësuar shërbimet shëndetësore, paralajmërojnë agjencitë, pothuajse 59 milionë fëmijë dhe të rinj do të vdesin para vitit 2030 dhe gati 16 milionë foshnja do të humbasin nga lindja e vdekur.
“Është jashtëzakonisht e padrejtë që mundësitë e një fëmije për të mbijetuar mund të formësohen vetëm nga vendi i lindjes dhe se ka pabarazi kaq të mëdha në qasjen e tyre në shërbimet shëndetësore që shpëtojnë jetë”, tha dr. Anshu Banerjee, nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh).
“Fëmijët kudo kanë nevojë për sisteme të forta të kujdesit parësor shëndetësor që plotësojnë nevojat e tyre dhe të familjeve të tyre, në mënyrë që – pavarësisht se ku lindin – të kenë fillimin më të mirë dhe shpresën për të ardhmen”, thekson Banerjee.
Fëmijët siç tregojnë analizat vazhdojnë të përballen me mundësi jashtëzakonisht të ndryshme të mbijetesës bazuar në vendin ku kanë lindur, me Afrikën Sub-Sahariane dhe Azinë Jugore që mbajnë barrën më të rëndë.
Megjithëse Afrika Sub-Sahariane kishte vetëm 29 për qind të lindjeve të gjalla globale, rajoni përbënte 56 për qind të të gjitha vdekjeve nën pesë vjeç në vitin 2021, dhe Azia Jugore për 26 për qind të totalit. Fëmijët e lindur në Afrikën Sub-Sahariane janë subjekt i rrezikut më të lartë të vdekjes në fëmijëri në botë – 15 herë më i lartë se rreziku për fëmijët në Evropë dhe në Amerikën e Veriut.
Nënat në këto dy rajone gjithashtu durojnë humbjen e dhimbshme të foshnjave deri në lindjen e vdekur në një shkallë të jashtëzakonshme, me 77 për qind të të gjitha lindjeve të vdekura në vitin 2021 në Afrikën Sub-Sahariane dhe Azinë Jugore.
Gati gjysma e të gjitha lindjeve të vdekura kanë ndodhur në Afrikën Sub-Sahariane. Rreziku që një grua të ketë një fëmijë të vdekur në Afrikën Sub-Sahariane është shtatë herë më i mundshëm sesa në Evropë dhe në Amerikën e Veriut.
“Pas këtyre shifrave qëndrojnë miliona fëmijë dhe familje të cilëve u mohohen të drejtat e tyre themelore për shëndetin”, tha Juan Pablo Uribe, drejtor Global për Shëndetin, Ushqyerjen dhe Popullsinë.
Sipas tij, ekzistonw nevoja për vullnet politik dhe udhëheqje për financim të qëndrueshëm për kujdesin shëndetësor parësor, i cili është një nga investimet më të mira që vendet dhe partnerët e zhvillimit mund të bëjnë.
Qasja dhe disponueshmëria e kujdesit shëndetësor cilësor vazhdon të jetë çështje jete ose vdekjeje për fëmijët në mbarë botën. Shumica e vdekjeve të fëmijëve ndodhin në pesë vitet e para, nga të cilat gjysma janë brenda muajit të parë të jetës. Për këto foshnja më të vogla, lindja e parakohshme dhe ndërlikimet gjatë lindjes janë shkaqet kryesore të vdekjes. Në mënyrë të ngjashme, më shumë se 40 për qind e lindjeve të vdekura ndodhin gjatë lindjes – shumica e të cilave janë të parandalueshme kur gratë kanë qasje në kujdes cilësor gjatë shtatzënisë dhe lindjes.
Për fëmijët që mbijetojnë pas 28 ditëve të para, sëmundjet infektive si pneumonia, diarreja dhe malaria përbëjnë kërcënimin më të madh.
Ndërsa COVID-19 nuk e ka rritur drejtpërdrejt vdekshmërinë e fëmijëve – me fëmijët që përballen me një gjasë më të ulët për të vdekur nga sëmundja sesa të rriturit – pandemia mund të ketë rritur rreziqet e ardhshme për mbijetesën e tyre. Në veçanti, raportet nxjerrin në pah shqetësimet rreth ndërprerjeve të fushatave të vaksinimit, shërbimeve ushqimore dhe qasjes në kujdesin shëndetësor parësor, të cilat mund të rrezikojnë shëndetin dhe mirëqenien e tyre për shumë vjet në vijim. Për më tepër, pandemia ka nxitur rënien më të madhe të vazhdueshme të vaksinimeve në tri dekada, duke i vënë të porsalindurit dhe fëmijët më të cenueshëm në rrezik më të madh për të vdekur nga sëmundje të parandalueshme.
Raportet vënë në dukje gjithashtu boshllëqe në të dhëna, të cilat mund të minojnë në mënyrë kritike ndikimin e politikave dhe programeve të dizajnuara për të përmirësuar mbijetesën dhe mirëqenien e fëmijërisë.
“Vlerësimet e reja nxjerrin në pah përparimin e jashtëzakonshëm global që nga viti 2000 në reduktimin e vdekshmërisë te fëmijët nën moshën 5 vjeç,” tha John Wilmoth, drejtor i Divizionit tw Popullsisë nw OKB-së DESA.
“Pavarësisht këtij suksesi, nevojitet më shumë punë për të adresuar dallimet e mëdha të vazhdueshme në mbijetesën e fëmijëve nëpër vende dhe rajone, veçanërisht në Afrikën Sub-Sahariane. Vetëm duke përmirësuar qasjen në kujdesin shëndetësor cilësor, veçanërisht në kohën e lindjes së fëmijës, do të jemi në gjendje t’i reduktojmë këto pabarazi dhe t’u japim fund vdekjeve të parandalueshme të të porsalindurve dhe fëmijëve në mbarë botën.”