A mund të parashikojnë filmat të ardhmen? Ndonjëherë filmat fanta-shkencë nga një distancë disa dekadash janë qesharake për shkak të parashikimeve të gabuara. Megjithatë, pak vepra klasike të këtij zhanri kanë bërë parashikime aq të sakta për teknologjinë moderne dhe të ardhmen saqë duket pothuajse edhe e frikshme. TRT Balkan në vazhdim ju paraqet një pjesë të filmave me parashikime të sakta kirurgjike.
“2001: A Space Odyssey” parashikoi aplikacionin Skype
Lista e gjërave që parashikoi filmi “2001: A Space Odyssey” përfshin tabletin, kompjuterin dhe turizmin hapësinor. Por ajo që askush nuk e priste në vitin 1968 se do të mund të parashikohej është aplikacioni Skype. Sigurisht që filmi, në fakt, nuk ka ndonjë person që hyn në shërbimin e mundësuar nga Microsoft për video-bisedë, por në film shohim video-thirrje, si përshembull kur Dr. Heywood Floyd thërret familjet e tij nga një stacion hapësinor që rrotullohet rreth Tokës.
Për të realizuar thirrjen, Floyd vendos diçka që i ngjan një karte krediti në video-telefonin e tij dhe telefonata 2-minutëshe kushtoi 1.70 dollarë. Kush e di nëse ajo bisedë nga hapësira ishte e shtrenjtë apo e lirë sipas standardit të vitit 1968.
Telefonat celular lindën në “Star Trek”
“Star Trek” filloi si një serial televiziv në vitin 1966 dhe në transmetimin e tij origjinal 3-vjeçar njoftoi shumë shpikje teknologjike që do të vinin më vonë në histori.
Komunikuesi i xhepit me antenë rrjeti të mbivendosur frymëzoi inxhinierin e kompanisë Motorola, Martin Cooper, për të projektuar telefonin e parë celular në botë në vitin 1973.
Prototipi i frymëzuar nga seriali peshonte rreth 1 kilogram dhe baterinë e mbante 20 minuta, por ai përfaqëson vizionin e telefonave të mençur modern.
“Demon Seed” tregoi “anën e errët” të shtëpive të zgjuara moderne
Në filmin e zhanrit horror fanta-shkencë të vitit 1977 “Demon Seed”, një shkencëtar zhvillon kompjuterin e mençur artificial Proteus IV, me qëllime të mira për të trajtuar leukeminë. Por gjërat shpejt dalin jashtë kontrollit kur kompjuteri zhvillon një dashuri jo të shëndetshme për gruan e krijuesit të tij, instalohet në kompjuter në shtëpinë e tyre dhe merr kontrollin e të gjithë teknologjisë dhe pajisjeve atje.
Edhe pse ideja është e frikshme, filmi tregon se si do të duket shtëpia e zgjuar moderne e së ardhmes. Në atë shtëpi kompjuteri mund të kontrollojë dritat, bravat e dyerve e të dritareve. Ai do të mund të përdorë sistemin e alarmit në shtëpi, të shfaq video nga dera e përparme si një zile inteligjente dhe madje edhe të kontrollojë pajisje të tilla si mbulesa e automatizuar e pishinës.
“Total Recall” na çoi në makinat vetëdrejtuese
Tashmë filmi i aktorit Arnold Schwarzenegger na tregon teknologjinë e kontrollit të memories, ekranet e televizorëve me madhësi muri, fluturimet rutine komerciale në Mars dhe strukturat jashtëtokësore nën sipërfaqen e Marsit. Megjithatë, ajo që më herët u bë realitet janë makinat vetëdrejtuese.
Nga këndvështrimi në fund të viteve të 80’ta, në film makinat vetëdrejtuese në sediljen e shoferit kishin një avatar të stilizuar Android që sot duket pak qesharake, por kjo ndodhë vetëm sepse ne e dimë saktësisht si duken makinat vetëdrejtuese.
Falë sensorëve të shumtë, makinat e sotme plotësisht vetëdrejtuese mund të ngasin vetë pa pasur nevojë që dikush të ulet në sediljen e shoferit.
Sulm me dronë të armatosur në “The Terminator”
James Cameron në filmin “The Terminator” prezantoi shumë ide futuriste që ishin shqetësuese, veçanërisht për sigurinë. Në vizionin e tij për të ardhmen ka dronë Hunter-Killer, të cilat në thelb janë dronë të armatosur ushtarak. Ky vizion i tij shpejt u realizua.
Deri në fillim të viteve të 80’ta, ushtria e SHBA-së vetëm se kishte përvojë me dronët e kontrolluar përmes radios, por vetëm në “luftën kundër terrorizmit” të viteve 2000 ushtria amerikane do të përmbushte parashikimet e filmit “The Terminator” dhe do të përdorte dronët e armatosur ushtarak.
MQ-1 Predator, i përdorur për herë të parë në vitin 2001, është droni i parë ushtarak i njohur për gjuajtje me armë që aktivizohej në distancë nga operatorët tokësor. Dhe të mos mendoni se gjuetarët-vrasës të Sarah Connor-it janë një trillim i pastër, sipas shumë njerëzve, ushtria amerikane tashmë po punon në dronët inteligjentë të aftë për të marrë vet vendime për gjuajtje.
Nga filmi “The Terminator” kujtojmë edhe parashikimin se në vitin 2029 do të shpërthejë një luftë mes njerëzve dhe robotëve inteligjentë që do të përfundojë fatale për njerëzimin. Çfarë mendoni, a mund të realizohet edhe ky parashikim?