Shqipëria dhe Kosova kanë zhvilluar vazhdimisht stërvitje të përbashkëta ushtarake.
Mediat sociale kanë bërë që këto stërvitje të tërheqin më shumë vëmendjen viteve të fundit.
Megjithatë, gjenerali nga Shqipëria, Aleksandër Pando, shpjegon për TRT Balkan se marrëveshjet për bashkëpunim kanë nisur që me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008.
“Qëllimi i stërvitjeve të përbashkëta është trajnimi i personelit; taktikat, teknikat dhe procedurat që ata ndjekin, si në punën në shtab që kemi, ashtu edhe në strukturat që janë ndërtuar me elementë të veçantë për realizimin e detyrave të tyre” shpjegon gjenerali.
Pando shprehet se një nga përfitimet më të mëdha të stërvitjeve dhe trajnimeve të përbashkëta, është unifikimi në qasjen ushtarake, duke sjellë si shembull emergjencat civile.
“Kemi edhe stërvitje që zhvillohen në kuadër të emergjencave civile, në të cilat trajnohen bashkë. Duke marrë dhe rastin e 2019-ës, kur kemi rastin e tërmetit që ndodhi në vendin tonë. Trupat kosovarë që erdhën këtu për mbështetje, ishin trajnuar bashkë me trupat tanë në Kosovë dhe procedurat e veprimit të tyre ishin të njëjta dhe e kishin shumë më të lehtë të ndërvepronin njëri me tjetrin” thekson Pando.
“Kosova mbetet prioritet strategjik kombëtar i Shqipërisë dhe është në qendër të politikës sonë të jashtme dhe të sigurisë” është shprehur Ministri i Mbrojtes i Shqipërisë në njoftim zyrtar, pas një takimi me homologun e Kosovës, Ejup Maqedonci.
Ministri Vengu ka theksuar po ashtu se Shqipëria dhe Kosova do të kenë një bashkëpunim edhe më intensiv në fushën e mbrojtjes.
Gjeneral Pando thotë se për vitin 2025 është hartuar plani i stërvitjeve, të cilat do t’i vendosen në dispozicion edhe Forcave të Sigurisë së Kosovës.